KOMENT/

“Ai është i burgosur i gabimeve të tij dhe nënvlerëson ndikimin e sanksioneve: flluska e propagandës nuk mund të qëndrojë pafundësisht”

Giuseppe Sarcina, Corriere della Sera

Drejtori i CIA-s, William Burns, është i qartë: “Putin nuk ka asnjë rrugëdalje të mundshme nga lufta. Ai po përpiqet të blejë kohë me këto negociata false.”

Dje, Burns dhe shërbimet e tjera të larta sekrete mbajtën një seancë dëgjimore në Komitetin e Senatit për Inteligjencën. Ishte një shkëmbim shumë i drejtpërdrejtë pyetjesh dhe përgjigjesh, me shumë pak rezerva. Një shenjë se administrata amerikane, vazhdon strategjinë e saj të transparencës për të vënë Kremlinin në vështirësi.

Burns argumentoi se, në këtë pikë, Putin është i burgosur i vlerësimeve të tij të gabuara. Udhëheqësi rus ishte i bindur se “ai e ka të mbrojtur sistemin ekonomik në mënyrë që të jetë në gjendje t’i rezistojë sanksioneve perëndimore, por shumë shpejt e zbuloi se nuk është kështu”.

Në veçanti, tha Burns, ai nuk e kishte marrë parasysh masën e Thesarit të SHBA-së që pengoi Bankën Qendrore të Moskës të manovronte rezervat e mëdha të monedhës së fortë (ekuivalenti i 600 miliardë dollarëve).

Sipas drejtorit të CIA-s, presidenti rus, e ka mbyllur vendin e tij “në një flluskë propagande”.

Por shtoi ai: “Nuk mendoj se do të mund t’i shkëpusë qytetarët nga e vërteta, pafundësisht. Tashmë shohim se po filtrojnë informacione për ushtarët e vdekur dhe të plagosur që po kthehen në Rusi. Dhe njerëzit kanë filluar të kuptojnë pasojat e rënda ekonomike të sanksioneve”.

Senatorja republikane Susan Collins pyeti më pas nëse rusët synojnë të përdorin armë kimike apo biologjike në Ukrainë. Një mundësi e evokuar të mërkurën më 9 mars nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Numri një i CIA-s u përgjigj kështu: “Ky eventualitet është pjesë e mënyrës së veprimit të rusëve. Ata tashmë kanë përdorur armë kimike kundër qytetarëve të tyre. Dhe ata kanë inkurajuar përdorimin e tyre në Siri dhe gjetkë. Ne po e marrim shumë seriozisht këtë opsion të rrezikshëm”.  Burns, megjithatë, nuk tha nëse ka ndonjë të dhënë konkrete në fushën e betejës.

Ndërkaq, Avril Haines, Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës, deklaroi: “Ne nuk kemi arsye të besojmë se Ukraina po përgatit armë kimike, biologjike ose bërthamore”