Nga: Massimo Gaggi/

Më e pakta që mund të thuhet, është se me Mike Pompeon në krye të Departamentit të Shtetit, politika e jashtme amerikane do të bëhet edhe më muskuloze: e ashpër me kundërshtarin e madh kinez (me instrumenta politike dhe sanksione tregtare), por edhe e shpejtë me aleatët evropianë. Banga e parë e provës do të jetë marrëveshja bërthamore me Iranin e firmosur nga Obama, por e mbështetur me forcë edhe nga të gjithë vendet e BE-së, përveç se nga Rusia dhe Kina: Trumpi e ka qortuar, po ende nuk e ka prishur një marrëveshje që është mbrojtur gjithmonë nga rex Tillersoni.

Kadet, ushtar, flamur i të djathtës radikale të Tea Party në Kongres, dhe, në fund shef i shërbimeve të spiunazhit, Pompeo është shprehur gjithmonë i gatshëm të hedhë në erë një marrëveshje me Teheranin që, ashtu si Trumpi, e konsideron katastrofike. Në 14 muajt e fundit ka heshtur për këtë, por vetëm për shkak se roli i tij në CIA i impononte të ishte i rezervuar. Nuk ka gjasa të ketë ndryshuar gjykimin e tij, edhe pse, i thirrur për të analizuar realitetin me lentet e shërbimeve të fshehtë, ka mundur të vlerësojë disa avantazhe që ajo marrëveshje sjell, në lidhje me perspektivën e një plotësimi të shpejtë të programit të armatimit bërthamor, nga ana e Republikës së Ajatollahëve.

Hesapet me verifikimin e marrëveshjes do të bëhen në maj. Duhet thënë se me këtë amerikan nga Kansasi, bir ushtarakësh, i pari në klasën e tij në akademinë e West Point, për pesë vite oficer i kalorësisë së mekanizuar që  u vendos nga Ushtria përgjatë PErdes së Hekurt, para se të kalonte në karrierën si kongresmen, politika e Administratës së Trumpit duket më e militarizuar. Por e vërteta është se gjeneralët që duhej të kishin vënë rregull në Shtëpinë e Bardhë dhe në politikën e jashtme, shefi i kabinetit John Kelly dhe këshilltari për Sigurinë Kombëtare HR McMaster, nuk po ia dalin që të mbajnë nën fre Trumpin, me zgjedhjet dhe zigzaget e tij sipas humorit.

McMaster, prej kohësh i orientuar drejt daljes nga skena, mund të zëvendësohet shumë shpejt. Flitet për një pasardhës jo ushtarak, por sigurisht më radikal se sa John Bolton. Sa për kreun e Pentagonit, James Mattis, ai mund të dobësohet prej daljes nga skena të Tillerson, me të cilin ishte shpesh në harmoni në përpjekjet për të zbutur shpërthimet e Trumpit, dhe për t’u dhënë siguri aleatëve evropianë të NATO-s. Më korrekte pra, që të flitet për një politikë më muskuloze: një perspektivë e cila është gjithsesi alarmante.

E megjithatë në mjediset diplomatike evropiane në Uashington, ndryshimi Tillerson-Pompeo është pritur pothuaj me një farë lehtësimi. Ishte e qartë prej kohësh që, me ish drejtorin e përgjithshëm të Exxon në krye të diplomacisë, politika e jashtme e SHBA ishte e paralizuar: me ambasadorët dhe më të mirët e shërbimeve të fshehtë që largoheshin nga Departamenti i Shtetit, drejtori të tëra pa udhëheqje, presidentin dhe ministrin e tij që nuk binin dakord për asgjë, nga Rusia tek mbrojtja mjedisore, e deri tek Irani. Deri tek dialogu me diktatorin koreano-verior, që u shpall nga Trumpi pa dijeninë e Tillersonit, i cili po udhëtonte në Afrikë. Me Pompeon ka një digë më pak, duke qenë se ai shfaqet në sintoni me Trumpin në pothuaj gjithçka.

Por do të marrë fund edhe konfuzioni i binarit të dyfishtë, ndërkohë që Pompeo, të cilit askush nuk ia vë në diskutim aftësitë profesionale, duhet të arrijë të riorganizojë dhe t’i japë një rol Departamentit të Shtetit. E ka bërë edhe në CIA ku, ndonëse nuk hoqi dorë nga idetë e tij konservatore radikale, fitoi vlerësimin dhe respektin e strukturës. Duke kënaqur Trumpin, por pa i lejuar kurrë as atij, as të tjerëve në ekipin e tij, që të fusnin hundët në Agjenci. / Corriere della Sera – Bota.al/

Veritas.com.al/