Prokurorët Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj po i kryejnë hetimet për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja për dy akuza: atë të “vrasjes për shkak të rrethanave cilësuese e mbetur në tentativë” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Por pistat për të zbardhur motivin e kësaj ngjarje vërtiten rreth dosjeve që ka shqyrtuar prokurori Ndoja apo problemeve në të cilat është përfshirë miku i tij Pëllumb Muharremi, që njihet si një ndër të fortët e Shijakut.

Në këtë pikë, prokurorët nuk kanë mundur ende të përcaktojnë se kush ka qenë shënjestra e atentatit, prokurori Ndoja, miku i tij apo të dy bashkë.

Grupi hetimor po shqyrton çështjet sensitive që kanë kaluar në duart e prokurorit, që kanë të bëjnë me hetimin e personave dhe aktiviteteve të ndryshme të paligjshme.

Prokurori Ndoja, i pyetur nga kolegët e tij në Spitalin e Durrësit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën pasi plumbi i ka kaluar në anën e djathtë të kraharorit pa i prekur organet jetësore, ka mohuar që të ketë qenë shënjestër e po ashtu ka thënë se nuk ka mundur t’i njohë atentatorët.

“Mund të më vrisnin në derën e shtëpisë apo në prokurori dhe nuk kishte se pse të qëllohesha në autostradë”, është shprehur ai.

Më e gjatë është lista e çështjeve të të fortit të Shijakut. Ai rezulton i dyshuar për disa aktivitete kriminale që kanë të bëjnë kryesisht me pronat në bregdetin e Gjirit të Lalzit.

‘Rrumi’ i Shijakut ishte i dyshuari kryesor i policisë për rrahjen barbare të biznesmenit libanezo – amerikan Fadil Mitri, në Shtator të vitit 2016. Mitri po planifikonte investimin e mbi 400 milionë Eurove në Gjirin e Lalzit dhe e braktisi investimin pas dhunës.

Pëllumb Muharremi s’ka mundur të dëshmojë për prokurorët. Ai nuk arrin të flasë, pasi plumbi e ka kapur në nofull.

Andi Maloku, një ish-efektiv i policisë së Krujës, i larguar për arsye ende të paqarta, nuk ka mundur të dëshmojë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Policia e Durrësit shoqëroi 10 persona mbrëmjen e djeshme që mund të kishin dijeni për ngjarjen, mes tyre Plarent Dervishi dhe Julian Meçen, por që të gjithë janë lënë të lirë.

Veritas.com.al/