Në studion e emisionit “Open” të Top Channel, tek po flitej për buxhetin e vitit 2021 të miratuar nga parlamenti shqiptar para disa javësh, dha opinionin e tij edhe pedagogu i ekonomisë Adrian Civici.

Adrian Civici, tha se sipas tij buxheti i miratuar nuk është elektoral por optimist. Ai tha se duket si një buxhet i miratuar në një vit normal. Civici theksoi se do të ishte më mirë që buxheti të ishte me efekt elektoral, pasi sipas tij do të parashikonte disa zëra më të ndjeshëm për publikun.

“Natyrisht është një buxhet optimist, sepse është në natyrën e çdo qeverie kur bën buxhetin, të paraqesë pjesën më të mirë, sepse buxheti është në një farë mënyre pjesa financiare e politikave ekonomike dhe atyre sociale.

Po ngele shumë me disa shifra me përqindje, e largon nga vëmendja dhe analiza që duhet të bësh për politikat kryesore, që është një llogaridhënie për atë që ke bërë para një viti dhe një angazhim për atë që do të bësh vitin e ardhshëm. Unë mendoj po të ishte buxhet tipik elektoral, do të ishte më ndryshe sepse do të parashikonte disa zëra më të ndjeshme të publikut dhe më me efekt elektoral. Përveç rritjes së pagave sidomos shpenzimeve për shëndetësinë dhe arsimin. Ajo që duhet ë diskutojmë është pjesa e transparencës dhe argumentimin e këtyre shifrave. Duket një buxhet i bërë si një vit normal. Ajo që duhet bërë më mirë dhe qarë është argumentimi i të gjithë këtyre treguesve që ne po flasim”, tha pedagogu.

VERITAS.COM.AL/