Ulet çmimi i naftës, benzinës dhe gazit! Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka bërë me dije çmimet e reja të karburanteve të vendosur nga Bordi i Transparencës dhe duke nisur nga dita e sotme, nafta do të shitet me 243 lekë/litër nga 249 që ishte. Brenda një jave, është ulur katër herë cmimi i naftës.
Më 23 qershor zbriti në 258 lekë/litër nga 261 që ishte më parë. Më 28 qershor zbriti në 255 lekë/litër. Më 29 qershor zbriti në 249 lekë/litër ndërsa sot arriti në 243 lekë/litër.
Vihet re se ka ulje të çmimit të benzinës me 7 lekë dhe zbritje me 2 lekë të çmimit të gazit. Benzina do të shitet me 235 lekë/litër dhe gazi me 81 lekë/litër. Sa i përket kritikave se Bordi i Transparencës vendos çmime më të larta se sa janë në bursë, ministrja e Financave thotë se nuk ka pasur asnjëherë çmime të ndryshme nga bursa.
Njoftimi i plotë
Bordi i Transparencës në datë 1 Korrik 2022, në mbledhjen e radhës vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 243 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 231 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 235 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 223 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 81 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 69 lekë/litër për automjetet.Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 1 Korrik ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë
Anëtarët e Bordit Kombëtar të Administrimit të Karburanteve
Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj
Drejtori i drejtorisë së Tatimeve, Ceno Klosi
Drejtori i drejtorisë së Doganave, Gent Gazheli
5 përfaqësues nga shoqërite e hidrokarbureve të cilat kanë xhiron vjetore më të lartë në vitin paraardhës