Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç thotë se Kushtetuta dhe legjislacioni i vitit 2016 është i qartë sa i përket përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, rolit të Këshillit të Emërimeve në Derjtësi dhe mekanizmit pas afatit 30 ditor që Kuvendi dhe Presidenti kanë për të zgjedhur mes tre kandidatëve të parë.

Në një reagim për mediat, Kocijançiç, thotë se “një interpretim që nuk i pranon këta elementë thelbësorë të mekanizmit të emërimit, siç përcaktohet në Kushtetutë dhe ligjet përkatëse vë në pikëpyetje parimin e shtetit të së drejtës”.

“Reforma në drejtësi e miratuar unanimisht nga Parlamenti me ndryshimet kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016 kishte konceptuar renditjen teknike nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kufizimin e diskrecionit të organeve të emërimit me tre kandidatët e parë më të kualifikuar, si dhe zbatimin e mekanizmit zhbllokues pas skadimit të një afati 30-ditor, si mjete të rëndësishme për të forcuar parimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe parimet e objektivitetit, meritokracisë dhe vazhdimësisë institucionale në lidhje me emërimin e zyrtarëve të sistemit të drejtësisë. Një interpretim që nuk i pranon këta elementë thelbësorë të mekanizmit të emërimit, siç përcaktohet në Kushtetutë dhe ligjet përkatëse, vë në pikëpyetje parimin e shtetit të së drejtës. Nuk i takon Bashkimit Evropian të vlerësojë përputhshmërinë e hapave të ndërmarrë në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse. Në të njëjtën kohë, është thelbësore që ky konflikt interpretimi të zgjidhet me urgjencë, duke marrë parasysh dispozitat dhe frymën e ndryshimeve kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016, për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të bëhet plotësisht funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur”, thotë zëdhënësja e BE-së.

Në përfundim, ajo shprehet se nëse nuk arrihet dakordësia brenda Shqipërisë, të merret opinioni i Komisionit të Venecias.

“Në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale që mund të vendosë mbi këtë interpretim të papajtueshëm, rekursi për një mendim të Komisionit të Venecias duket si një zgjidhje efektive për ta trajtuar këtë situatë si një çështje me përparësi”, përfundon deklarata e zëdhënëses të BE-së.

Në pjesën e deklaratës së zëdhënëses së BE lihet të kuptohet qartë se edhe nëse në Kushtetutë nuk është e shkruar afati 30 ditor për Presidentin (por vetëm për Kuvendin), është legjislacioni ai që e plotëson këtë element, siç neni 7/b të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese që përcakton 30 ditë edhe për Presidentin.

“Presidenti brenda 30 ditëve nga marrja e listës prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emëron gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Dekreti i emërimit shpallet i shoqëruar me arsyen e zgjedhjes së kandidatit. Nëse Presidenti nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë, konsiderohet i emëruar”.

Këtë pikë të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese duket të ketë ndjekur edhe KED kur zgjodhi automatikisht Arta Vorpsin pas mos shprehjes së Metës brenda 30 ditëve.

Por kreu i shtetit, dekretoi për të njëjtin vend të Vorpsit, Marsida Xhaferllarin, e katërta në listën e kandidatëve, duke e futur në ngërç funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

VERITAAS.COM.AL