Nga: Astrit Patozi/FB/

Artan Fuga sot ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e opozitës në debatin për gjendjen e nderë që po kalon Akademia jonë e Shkencave.

Duke theksuar përshtypjen negative që i ka shkaktuar ky mosreagim, akademiku rendit një sërë arsyesh që, sipas tij, mund ta kenë yshtur Partinë Demokratike (Lulzim Bashën dmth), të heshtë për këtë çështje. Nuk dua të analizoj përfundimet e tij dhe aq më pak të hyj në polemikë me të, por e kam edhe unë një ide për këtë “mosvëmendje”.

Janë në të gjitha nga pak, Artan, por mendoj se nuk ke përmendur më të rëndësishmen:

Akademia e Shkencave do të bëjë zgjedhjet e reja dhe Lulzim Basha nuk flet dot për këtë temë. Po të ishte kohë tjetër, mbase mund ta kishte thënë ndonjë llaf. Sepse nuk përmendet litari në shtëpinë e të varurit.

Vetëm një muaj më parë ai i pesëfishoi votat për kryetar të Partisë Demokratike, sepse i duhej fitore plebishitare brenda llojit, pasi e kishte çuar opozitën drejt katastrofës elektorale.

Ndaj sado të paracaktuara dhe jodemokratike të jenë zgjedhjet në Akademinë e Shkencave, ato nuk mund të krahasohen kurrë me votimet ne PD, në të cilat u mbushën masivisht kutitë dhe ku u pa qartazi që dikush mund të votonte edhe 4 herë rresht për të kurorëzuar kryetar Lulzim Bashën.

Ndaj mos e kërko kurrë opozitën (Lulzimin dmth) aty ku nuk mund të jetë, ndërkohë që sado falso të jenë zgjedhjet në Akademinë e Shkencave, dëmi që ato shkaktojnë për vendin nuk mund të jetë asnjëherë më i madh, sesa farsa e shëmtuar zgjedhore e 22 korrikut.

*Titulli i “Veritas”

Veritas.com.al/