TIRANE- Forcat e Armatosura të Ushtrisë ditën e sotme kanë zbritur në terren për të vëzhguar situatën dhe për t’i ardhur në ndihmë policisë së shtetit në lidhje me zbatimin e urdhrave të ndalimit të qarkullimit për të gjithë qytetarët në kuadër të masave të ndërmarra kundër CoVid-19.
Me një varg autoblindash, Forcat e Ushtrisë po futen në çdo lagje të Tiranës, dhe do të ndahen në 5 zona të ndryshme.
Për çdo qytetar që do të konstatohet se nuk respekton oraret dhe rregullat e vendosura, tashmë të bëra publike do të veprohet përmes masave administrative, pra gjobave.
Më herët Ministrja e Mbrojtjes Xhaçka ka postuar disa foto të efektivëve me shkrimin: ”Të gjithë bashkë, ju dhe ne, në zbatimin e PADISKUTUESHËM të rregullave të vendosura për këto ditë të vështira.”
Ajo ka theksuar se ata kanë lënë në shtëpi familjet e tyre e po bëjnë të pamundurën për t’ju mbrojtur në mënyrën më të mirë që ata dine, disiplinimin.
Ministrja ka theksuar edhe disa këshilla në lidhje me situatën.
1.Ndiqni këshillat e specialistëve
2.Respektoni oraret
3.Mbani rradhën në supermarkete e banka
4.Ruani distancën 2 metër nga njëri – tjetri
5.Respektoni masat mbrojtëse në ambjentet publike
6.Qëndroni në shtëpi me familjet tuaja
Gjithashtu ka shprehur mirënjohje për cdo efektiv të FA e Policisë së Shtetit të cilët janë në krye të detyrës në këto ditë të vështira për të gjithë botën.
Presidenti Meta ka shpërndarë postimin e ministres duke shprehur mirënjohje të thellë dhe falenderim për çdo efektiv të Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit në krye të detyrës.
“Së bashku për të mbrojtur shëndetin e çdo qytetari”, ka shkruar Meta krahas postimit.
VERITAS.COM.AL