Avdulla Deliallisi, drejtues i shoqatës ”Durrësi autokton” është gjobitur me 5 milionë lekë për shkak se akuzohet për thyerje të masave anti covid, duke lejuar që të organizohet një ceremoni per dekorimin e arkeologut Vangjel Toçi, pas vdekjes.

 Dje pasdite, në sallën e teatrit ”Aleksandër Moisiu” të qytetit Durres, u zhvillua një ceremoni festive gjatë se cilës  Presidenti i Republikës Meta ka dekoruar me titullin ”Nderi i kombit” pas vdekjes arkeologu Vangjel Toçi.

Njoftimi i Policisë:

Vijojnë kontrollet nga Policia e Durrësit, për monitorimin e zbatimit të masave anticovid, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Strukturat e Policisë Durrës, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet për monitorimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 5.000.000 lekë, shtetasin A. D. (përfaqësues i  një shoqate), pasi ka organizuar një aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3 datë 15.03.2020, pikën 2 të nenit 3, si dhe pikën 1 të Urdhrit nr. 633 datë 17.11.2020 “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid dhe i fton ata të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese, duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.

VERITAS.COM.AL