Vendi ynë është rrethuar nga virusi britanik, një nga mutacionet e Covid 19-tës. Në Kosovë, Mal të zi dhe Greqi janë zbuluar raste të prekurish.
Vetëm në 3 ditët e fundit kemi 30 të vdekur dhe mbi 2700 të infektuar.
Artan Simaku, Mjek Epidemiolog: Kjo rritje është parashikuar që në dhjetor, për shkak të festave dhe grumbullimeve familjare që u bënë gjatë një periudhe festash 10 ditore.
Nisja e vaksinimit në vend ka bërë që qytetarët të neglizhojnë respektimin e masave anticovid.
Artan Simaku, Mjek Epidemiolog: Nuk duhet të relaksohemi, pavarësisht se ka nisur vaksinimi. Edhe personat që e kryejnë duhet ta mbajnë maskën. Asgjë nuk ndryshon derisa sa të arrihet imuniteti i tufës, dhe të vaksinohet mbi 60 përqind e popullatës.
Nëse më parë infektoheshin moshat e mëdha, tani janë të rinjtë që po preken në masë nga virusi.
Artan Simaku, Mjek Epidemiolog: Mosha është ulur nga 25 deri në 44 për shkak të mosrespektimit të masave. Por ka gjithashtu edhe persona të papërgjegjshëm, që megjithëse rezultojnë pozitivë dalin nga shtëpia, nuk izolohen e karantinohen, po ashtu edhe familjarët dalin duke kryer shkelje që dënohen nga ligji.