Prej tre ditësh, ishulli i Sazanit është në betejë me flakët dhe situata vijon të jetë shqetësuese. Zjarri është  aktiv në një sipërfaqe te konsiderueshme në pjesën lindore të ishullit përballë qytetit të Vlorës. Me dhjetëra pisha shekullore janë shkrumbuar dhe vijojnë të digjen edhe gjatë kësaj të hëne. Gjatë mbrëmjes, Forcat e Armatosura kanë luftuar me flakët të mbështetur edhe nga ADZM, por shuarja e zjarrit ka qenë e pamundur, raportoi gazetari i Report Tv Armand Xhelili.

Ditën e sotme flakët vijojnë dhe pritet që në ishullin e Sazanit të nisen edhe punonjës së zjarrfikëses. Siç duket dhe nga pamjet që janë marrë nga qyteti i Vlorës, ishulli është i rrethuar nga një mjegull tymi dhe duken qartë vatra zjarri që janë aktive. Në një kohë kur fokusi duhet të jetë shuarja e flakëve, Ministria e Mbrojtjes gjen kohë për të dhënë urdhrin absurd për të mos shpërndarë asnjë foto apo video për mediat ndërsa situata duket alarmante. Po ashtu një rrezik evident në ishull janë dhe municionet e mbetura.

Burime bëjnë me dije se Ministria e Mbrojtjes i ka urdhëruar të gjithë zjarrfikësit e policët që po luftojnë me flakët që të mos i përgjigjen asnjë telefonate dhe nuk lejojnë që të xhirohet asnjë video për t’iu shpërndarë mediave. Ndër të tjera në ishull nuk lejohet të hyjë asnjë person, qoftë turist apo punonjës mediash sepse ka municione. Pra, derisa të shuhen flakët e zjarrit dhe te pastrohen mbetjet e municioneve ishulli i Sazanit do të jetë i mbyllur për turistët.

Dyshohet se shkak i zjarreve në Sazan janë papërgjegjshmëria e pushuesve që shkojnë me mjete të vogla dhe pa leje, ndezin zjarre për ushqimet e tyre, ndërkohë qe në ishullin e Sazanit janë vetëm katër ushtarë që monitorojnë të gjithë ishullin. Ashtu si në çdo sezon veror, janë rikthyer vatrat e zjarrit në vendin tonë dhe shpesh herë, ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit si dhe era favorizon përhapjen e flakëve.