Frrok Çupi

Kjo ka ndodhur këtë javë.

Massimo D’Alema, kryeministër i Italisë në vitet më të zeza të Shqipërisë (1998-2000), vizitoi Ksamilin dhe qëndroi pak ditë. Qëndroi në Kep Merly. Autorin e asaj mrekullie, Agim Shenedielen, që është një mjeshtër, një piktor, në skulptor i detit dhe tokës në Ksamil, e uroi me admirim….Dita kur duhej të nisej për në Korfuz i erdhi më shpejt; atje e prinin të tjerë. Po ndahej nga miqtë dhe po kërkonte fjalë si ta shprehte impresionin nga Ksamili.

Si ta shprehte D’Alema?… Një burrë shteti impresionues i njohur kështu pikërisht për sjelljen dhe fjalën, gazetar, diplomat dhe politikan klasi. U kthye me fytyrë nga Korfuzi, andej ku do të mbërrinte me anijen e parë dhe lëshoi një psherëtimë, si psherëtimat e Sokratit në Apologji: “Ah, e tani po shkoj, jam për në BE”.

-Po këtu a nuk është BE!- u duke se po thoshte nën ironi D’Alema.

Greqia ka shumë vite që është anëtare e Unionit, madje e projektuar si ‘perëndimore’ që në fund të Luftës së Dytë. Por punët kanë ardhur në një moment kur Europa zbuloi Shqipërinë, ose vetë Shqipëria u stolis si një anëtare e denjë e Europës. Miliona turistë po zbresin në tokën shqiptare, mbi 200 avionë në ditë plus pasagjerët e detit dhe të tokës. Dhe për çfarë? Për një shtet me njëqind e njëzet e ca kilometra katrorë… (Gjashtëqind e ca mija ka vetëm Korfuzi).

Në vitet e fillimit të Hapjes së vendit pas viteve ‘90, në Greqi burrat vinin në kafe dhe lëshonin fjalët: “ A tu them një barcaletë?”

-Thuaje pra!

-Në qytet janë parë turistë shqiptarë, thoshte tjetri.

Sigurisht, kjo barcaletë qarkullonte pa ndonjë peshë nacionaliste a antishqiptare. Vvarfëria jonë ishte një realitet. Grekët ishin fqinjë që u dhanë bukën e gojës në ato vite shqiptarëve, por edhe shqiptarët ishin ‘për ujë të ftohtë’. Në kohën e barcaletës, në Rinas zbriste vetëm një avion në javë.

Ironia e D’Alemës me BE-në në Korfuz, kishte lidhje me një ironi ndaj burokratëve të BE që nuk dinë ç’bëjnë me popuj dhe vende që janë rritur këto vite. Nënpyetja e helmtë e tij do të ishte “e pse nuk qenka BE këtu në Ksamil ku është më mirë?”.

Ndërsa konteksti i fjalës së D’Alemës, për mua, lidhet me një ngjarje të fundit mes Greqisë e Shqipërisë, ngjarje që lidhet në një mol të Himarës. Problemi është i stisur, dhe e ka emrin “Beleri’. Edhe si emër ky është shkurtuar keq, ka dashur të jetë “Bejleri’, alias mysliman turk, por ka mbetur pa kuptim, as ‘ Bej’, as ‘ Leri’. Ky është kapur dy herë në vrasjen e ushtarakëve shqiptarë në kufi, por është lidhur me politikën dhe ka shpëtuar. Pastaj ka fyer racën shqiptare edhe pse vetë është nga një fshat i thellë i Labërisë. Por thotë se ‘ jam grek’ në Himarë ku nuk ka këmbë tjetër greku veç Belerit.

Në zgjedhjet e fundit bleu vota dhe tani ndodhet në burg. Tani politika greke po e përdor si ‘shtupë’ për të zënë ndonjë vrimë nacionaliste të marrë. Greqia, për këtë arsye, ka kërcënuar Shqipërinë se ‘nuk e lejon të hyjë në BE’.

-BE është këtej nga Ksamili- desh të thoshte D’Alema, nuk është andej nga Kurfuzi, për ‘ku më duhet të nisem’.

Qeveria greke e formësuar prej djemve e vajzave që kanë mbetur në kohën “atëherë Shqipëria”. Këta qeveritarë janë vetëm fëmijë të kryeministrave të Greqisë që në kohën e ‘ barcaletës me shqiptarë’ mbanin barrë të mëdha. Greqia politike ende e quan veten si ‘infermiere të Shqipërisë’ dhe trembet se ‘ ku na dolën këta!?, ne ‘u zëmë rrugën për në BE’. Budallallëku politik është më i keqi mes opsesioneve të tjerë. Një deputet grek më në fund erdhi në burgun e Belerit dhe kërcënoi Shqipërinë dhe BE-në.

Pse u zgjua politika greke pikërisht tani, kaq vonë, kur Shqipëria ‘gia’ është Europë? Sokrati, filozofi i madh i Athinës thoshte se ‘mullisi zgjohet në mesnatë, kur ndalet mulliri’. Por tani është vonë, Shqipërinë që mëtonte dhe bloi tashmë; nuk mund ta ndalin të jenë ‘Europë’.

Domethënë nuk mund ta ndalin të jetë ajo çfarë është. Këtë po thoshte D’Alema teksa i drejtohej Korfuzit me tallje për BE.