Danimarka premton se do të transferojë të gjithë artilerinë e saj në Ukrainë dhe i ka bërë thirrje Evropës të bashkohet në mbështetje të Kievit.
Gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, kryeministrja daneze Mette Frederiksen u bëri thirrje vendeve evropiane që të dhurojnë rezervat e tyre ekzistuese të armëve, municioneve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore që, sipas saj, duhet t’i jepen Ukrainës.
Ajo kritikoi liderët evropianë, të cilët, sipas saj, përmendin problemet me prodhimin e armëve si një justifikim për të mos furnizuar me armë Ukrainën ndërsa në të njëjtën kohë u kërkoi atyre të rrisin prodhimin.
“Por Ukraina po kërkon artileri dhe municione tani. Dhe prandaj më vjen keq miq, por ka pajisje ushtarake në Evropë. Nuk është vetëm çështje prodhimi. Ne kemi armë, kemi municione dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Ato duhet të dërgohen në Ukrainë”, tha Frederiksen duke shtuar se Danimarka ka vendosur të dhurojë të gjithë artilerinë e saj.
Njoftimi vjen pasi Ukraina vazhdon të luftojë me mungesa të mëdha të personelit dhe municioneve në vijat e frontit ndërsa përballet me avancimin rus në lindje të vendit.
Kryeministrja daneze u bëri thirrje vendeve evropiane të mos presin që SHBA-ja të miratojë financimin për forcat e armatosura ukrainase. “Nuk ka rëndësi se çfarë mendon SHBA-ja, por ne evropianët duhet të mbrohemi. Kjo është një luftë në kontinentin evropian”, tha Frederiksen.
Danimarka është ndër furnizuesit kryesorë të armëve për forcat e armatosura të Ukrainës ndërsa vendi premton të transferojë 19 avionë luftarakë F-16 deri në fund të vitit, sapo të përfundojë trajnimin e pilotëve ukrainas. Moska e ka kritikuar vazhdimisht Perëndimin për furnizimin e Ukrainës me armë, duke argumentuar se kjo vetëm e zgjat konfliktin.