Debati i fundit publik mes ish-kryeministrit shqiptar, Sali Berisha dhe ambasadores së SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, nuk ka mbetur pa u komentuar as nga Departamenti amerikan i Shtetit, nga ku sjellja dhe retorika e Berishës është cilësuar si “jo përfaqësuese e popullit shqiptar”.

“Sulmet e pajustifikuara ndaj Ambasadores së SHBA-ve në Tiranë, përfaqësueses personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, nuk përfaqësojnë popullin shqiptar. Ata që përfshihen në korrupsion ose minojnë demokracinë duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi”.

Është kjo përgjigja që DASH ka për Berishën, pas akuzave të këtij të fundit, i cili e ka emërtuar atë si “guvernatorë” dhe ka deklaruar se “nuk mund të bëhet palë”.

Vetë diplomatja, pati komentuar nëpërmjet medias sociale Twitter, incidentin e ndodhur mes Berishës dhe kryetarit të mandatuar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në foltoren e Parlamentit të enjten e 21 prillit.

Në këtë episod, Berisha e shtyu Alibeajn nga foltorja për të marrë fjalën vetë.

“Ditët e sulmit ndaj ndërtesave, rrahjes ose largimit të të tjerëve nga podiumet, kërcënimit të atyre që thonë me të drejtë ‘jo!’, akuzimit të të tjerëve për veprat e këqija që ka bërë, shtrembërimit të shtetit të së drejtës, llogaritjes së mosndëshkimit – ato ditë i përkasin një të shkuare që duhet të mos përsëritet”, shkruante Kim.

Mirëpo, sipas Berishës, kjo ishte një ndërhyrje direkte e saj në procese gjyqësore.

Teksa, në një replikë në mediat sociale, ambasadorja Kim do të theksonte se “nëse inkurajimi i gjykatësve për të zbardhur të vërtetat është interferim, atëherë SHBA-të do të vijojnë ta bëjnë këtë gjë”.

Prej përcaktimit të Berishës si persona non grata nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, lufta mes ish-kreut të demokratëve dhe diplomacisë amerikane ka ruajtur një retorikë të ashpër dhe të pandërprerë.