Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për investimet e huaja në Shqipëri për vitin 2023, ku thekson që në hyrje se Shqipëria ofron potencial të madh të pashfrytëzuar për investime të huaja në shumë sektorë.

“Si një vend në zhvillim, Shqipëria ofron potencial të madh të pashfrytëzuar për investime të huaja në shumë sektorë duke përfshirë energjinë, turizmin, kujdesin shëndetësor, bujqësinë, naftën dhe minierat, dhe teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (TIK). Në dekadën e fundit, Shqipëria ka tërhequr nivele më të mëdha të investimeve të huaja direkte.”-thuhet në raportin e DASH.

Investimet janë të përqendruara në industritë nxjerrëse dhe përpunuese, pasuri të paluajtshme, sektorin e energjisë, bankat dhe sigurimet, dhe TIK. Zvicër, Holandë, Kanada, Itali, Turqi, Austri, Bullgari, dhe Franca janë burimet më të mëdha të IHD-ve. Aksionet e IHD-ve nga Shtetet e Bashkuara zënë një pjesë të vogël por në rritje, thuhet më tej në raport.

Në raport vlerësohet se Shqipëria ka një potencial të madh ekonomik, një kuadër ligjor të shëndoshë dhe ka bërë progres në kufizimin e korrupsionit të vogël duke dixhitalizuar shërbimet publike si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.

Megjithatë, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes.