Frrok Çupi/
E ndryshmja e kësaj tragjedie prej tragjedive të thëna në Kanun a përtej dokeve, është kështu: Mes fatkeqësisë së tërmetit që pikoi në shpirt kombin, kësaj here secili ka të drejtë që edhe ditën e varrimeve, të bëjë dasmë. Ndërsa Zakoni i lashtë i kodeve tona nuk e lejonte dasmën nën harkun e mortit.
A i ka ndodhur ndonjë ‘çarje’ shoqërisë sonë të re, që lejon të kundërtën e zakonit të saj?
Sigurisht që jo… Një shoqëri në përmirësim e në ndryshim, e cila nuk ka fuqi të ndryshojë atë që ndjen se duhet ndryshuar, kjo është një shoqëri që mbetet në rënie. Shoqëria jonë është modernizuar, është në përsosje, është në rrugën e ngjasimeve me qytetërimin Perëndimor, pra në ngjitje.
A mund të përmendim disa fakte që e ilustrojnë këtë?
Ja tek janë disa ‘dasmorë’, të tillë që shoqërojnë edhe tragjedinë:
1.
Kjo që po quhet media; dhe në fund të fundit media do të quhet, përderisa shumica e quan të tillë dhe nuk ka kohë të merret me studime nëse është media apo ‘pushtet i katërt’. Media po thotë gjithçka, të vërtetë e të pavërtetë, të ulët e deri-normale, të zezë dhe ngjyrë tjetër, traumatike dhe të rrafshët… Domethënë pa e çarë kokën se këtu ka një tragjedi ku njeriu nuk duhet mashtruar dhe tronditur më shumë. Në sensin e shoqërisë së re, ku çdo individ ka në dorë një ‘bombë’, dmth një medie online, ‘morti’ nuk mund të kalohet ndryshe veçse me praninë e tyre. Shoqëria e re iu ka dhënë të drejtë lirie edhe atyre që duan të fitojnë ca të ardhura duke përdorur e dhunuar sentimentet ose edhe dhimbjen e tjetrit. Këto media mbijetojnë me klikime dhe lexime kureshtarësh, paçka se dikë lëndojnë e prekin fort. Por janë njësoj si korrieri i lagjes apo i fshatit: Lajmi i rremë ‘pi ujë’ në atë lagje ku e pëlqejnë; ndërsa në lagje të tjera nuk i duhet askujt; askujt nuk i duhet edhe korrieri i panikut dhe mashtrimit. ‘Lagjja’ jonë, që është shoqëria në përmirësim, sot për sot nuk ka arritur në standartet e Anglisë a të Gjermanisë…, siç po e përmendim. Prandaj edhe ‘dasmorët’ në tragjedi janë prezentë.
2.
Shansi i opozitës…. Opozita e shikon tragjedinë si ‘shans’ për të fituar pushtetin’. Edhe kjo është e natyrshme në ‘lagjen’ tonë. Të nesërmen e tërmetit, Opozita lëshoi një mesazh ‘bashkëpunimi’ me shtetin për të kapërcyer tragjedinë. Vetë kryetari i PD si edhe presidenti në opozitë, bënë thirrje ‘të jemi bashkë’. Mirëpo tani ka ndryshuar puna; tani ata po iu vijnë rrotull gërmadhave të fatkeqësisë (si rreth varrit), duke kërkuar protagonizëm. Kot, ashtu kot, por flasin e qortojnë ata që po punojnë te gërmadhat. Kryetari i PD sot iu shkoi pranë atyre që po punonin dhe iu tha: ‘Lerini llafet, por hajdeni- punë!’. Mori pozën para kamerave dhe u kthye te vilat e veta…
Po vallë kush po punon e kush po bën llafe?! Po vallë presidenti i Republikës, ende pa u mbuluar varret e tragjedisë, kërkon ‘hartë të plotë sismike’ për tërmetet që do të vijnë… Le të kërkojnë, se edhe ata duan të jetojnë, qoftë edhe me kotësinë.
Të gjithë këta kanë të drejtë; prapë të drejtën që u jep ‘lagjja’ jonë që jeton me ‘gërr- gërre’. Jo të gjithë janë pozitiv e as mund të jenë. Fillimisht kryetari i opozitës lëshoi thirrjen ‘të gjithë së bashku’ ta përballojmë!, por siç duket ata skifterët e mortit në ‘lagjen’ tonë, e kapën nga krahu dhe e kërcënuan se ‘do ta zhdukin’ nga karrigia… Atëherë u kthye në ‘lagjen’ ku bëhet dasma e mortit.
Ja kështu jemi, një lagje që po i afrohemi ‘qytetit’ të qytetërimit Perëndimor. Por deri atëherë do të përballojmë sa e sa ‘tërmete’.
VERITAS.COM.AL/