Ekipi që realizoi emisionin “Públicus” në Vizion Plus vendosi të publikojë në youtube emisionin e censuruar të dielën e shkuar.
Ishte kryebashkiaku Erion Veliaj i cili me ndërhyrjen e tij mbylli këtë emision investigativ që sëfundmi do të publikonte “Kodrina e vdekjes”. Investigimi nxirrte në pah një sërë shkeljesh të Bashkisë së Tiranës, rrëfime ekskluzive dhe detaje të papublikuara më parë.
Është e para herë kur një produksion i kuruar profesionalisht, me dëshmi, prova të reja dhe info-analizë , gjen rrugën e vetë duke përdorur faqet Facebook dhe Youtube.
Emisioni i censuruar provizorisht në televizionet dhe median tradicionale, sjell rrëfimet e familjarëve të të miturit Ardit Gjoklaj, i cili humbi jetën në landfillin e Sharrës, në një biznes ku Bashkia e Tiranës ishte bashkëaksionare.
Produksioni i “Públicus” hedh dritë dhe mbi kontratën që lidhi Bashkia me kompaninë “3R” e cila fitoi të drejtën ekskluzive pa tender, pa garë dhe pa specifikime teknike të çmimiverjes.
“Públicus”, ka fokusuar dhe ngjarjen e koleges dhe gazetares Alida Tota, investigimi i së cilës ndaj Landfillit të Sharrës disa javë më parë, i kushtoi vendin e punës.
Sot Bashkia e Tiranës mohoi çdo ndërhyrje pranë televizionit “Vizion Plus” duke hedhur poshtë akuzat për censurë dhe patronazh mbi median tradicionale.
Aksionarët e këtij televizioni, (Vizion Plus) rezultojnë përfitues të disa fondeve ose të drejtave publike të dhëna nga qeveria/ose Bashkia në tre vitet e fundit. Boldneës.al gjen rastin të shprehë solidaritet total me kolegët e “Públicus” dhe fton të gjithë kolegët të shpërndajnë në profilet e tyre personale në Facebook, dokumentarin e censuruar të “Kodrina e vdekjes”.
Më poshtë statusi i producentëve të “Publicus”:
Ky është raporti investigativ, Kodrina e vdekjes, që u përgatit nga ekipi “Públicus”, e që nuk u lejua të transmetohej të dielën e shkuar nga administratorët në “Vizion Plus”!
Ne vendosëm ta transmetojmë online.
Ky film është historia e një vdekje dramatike që u tentua të mbulohej e më pas të shpërfillej!
Ky film është historia e një kontrate favorizuese që u mbajt e fshehtë!
Ky film është historia e Alida Totës që u pengua, u çensurua e më në fund u pushua sepse kërkoi t’i zbulonte!
Ky film është kundër censurës.
Ky film reflekton përpjekjen dhe kurajon tonë për të thënë të vërtetën.