(Demokratët e Vorës kanë nisur firmosjen e një peticioni kundër zgjedhjeve në PD, që sipas tyre janë farsë. Në peticion theksohet se Lulzim Basha po e çon PD drejt asgjësimit).

Peticioni:

“Zgjedhjet e 25 qershorit shënuan disfatën më të rëndë zgjedhore në historinë e Partisë Demokratike. Kundërshtari politik u fut në garën zgjedhore me një bilanc të turpshëm qeverisës, me dështime dhe paudhësi, të cilat janë mbajtur shënim jo vetëm nga shqiptarët, por janë evidentuar edhe ndërkombëtarisht. Partia Demokratike ka meritën e pamohueshme të denoncimit publik të tyre.

Rezultati i zgjedhjeve në favor të qartë të mazhorancës dhe në ndëshkim të fortë të opozitës dëshmon se populli shqiptar nuk i ka falur PD inkoherencën e qëndrimeve, tradhtinë e kauzës opozitare/publike që kish mbrojtur me aq zjarr deri atëherë, kompromisin e paqartë dhe kult të 18 majit. Me një akti të orës së fundit PD shkeli interesin publik dhe asgjësoi opozitarizmin. Kjo është e pafalshme, e pajustifikueshme. Kryetari i PD-së lidhi marrëveshje me kundërshtarin politik për të garantuar zgjedhjet e lira, duke imponuar dhe instrumentet garantues. Kryetari i PD u doli zot publikisht zgjedhjeve. Për këtë arsye është i papranueshëm justifikimi i rezultatit dëshpërues, me manipulimin apo blerjen e votës. Në një situatë si kjo demokratët nuk mund t’i kërkojnë llogari “hajdutit”, por duhet t’i kërkojnë llogari dhe të bëjnë përgjegjës “rojtarin”. Rojtari ishte garant i zgjedhjeve për ta.

Zgjedhjet e 25 qershorit e çuan opozitën në pranga të asgjësimit dhe kanë dëshpëruar të gjithë shqiptarët që duan demokraci të vërtetë, të fortë dhe konkurruese në këtë vend. PD duhet t’u kthejë me urgjencë shpresën shqiptarëve, duhet t’u ringjallë besimin, duhet të shpëtojë demokracinë në këtë vend. PD mund të bëjë këtë vetëm nëse rigjen demokracinë, nëse i përbetohet asaj. Një parti, nëse nuk është demokratike nga brenda për anëtarët nuk mund të jetë demokratike nga jashtë, për shtetin e shoqërinë. Prandaj një garë e hapur, me rregulla të drejta e të paanshme, me analizë dhe debat alternativash, me konkurrim real dhe respekt e gjithëpërfshirja për sfidantët përbën ‘conditio si qua non’ për rimëkëmbjen e PD-së. Farsa, zgjedhjet e imponuara, përjashtuese, konfliktuale, mund të çojnë më e pakta në formalitet gare dhe formalitet opozitar dhe më e shumta në një ndarje të re politike me pasojë afatgjate për opozitën dhe pjesën e papërfaqësuar qytetare. Ne nuk duhet të lejojmë këtë skenar, duhet ta pengojmë me çdo kusht, duhet ta dështojmë. Kjo është detyra jonë e parë. Bazuar në sa më sipër, me qëllim shpëtimin nga pengmarrja të Partisë Demokratike, kërkojmë:

Anulimin e procedurës dhe farsës së nisur nga Zoti Basha; dhe deklarimin absolutisht të pavlefshëm të akteve të nxjerra në kundërshtim me statutin nga kryetari dhe nënkryetarët e PD-së dhe gjithë farsën që pason.