TIRANË- Në seancën plenare të kësaj të enjte është rrëzuar kërkesa e Partisë Demokratike për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Nisma për shkarkimin e Peleshit, u rrëzua me 79 vota kundër.
Ndërkohë gjatë fjalës së tij të mbajtur në Kuvend, Peleshi theksoi se keqpërdorimi i të drejtës duhet të jetë vija e kuqe “ku mbaron e drejta jonë për të folur e për t’u dëgjuar”.
“Kushtetuta, rregullorja apo tradita parlamentare garantojnë të drejtat e deputetit, por gjithashtu ndalojnë keqpërdorimin e të drejtës. Keqpërdorimi i të drejtës duhet të jetë vija e kuqe ku mbaron e drejta jonë për të folur e për t’u dëgjuar. Nëse do të biem dakord për këtë, ashtu siç na detyron në fakt Kushtetuta dhe rregullorja – germa dhe fryma, ambicia dhe standardi europian i parlamentarizmit – atëherë nuk do të përballemi më me situata të shëmtuara që pamundësojnë zhvillimin e seancës. Por mesa duket nuk është kaq e thjeshtë. Në këtë mocion për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit na ka sjellë rezistenca për të mos lejuar askënd, në pozicionin që unë kam nderin të mbaj sot, të guxojë të ndryshojë këtë sallë nga arenë dhune verbale në arenë të mendimeve alternative dhe politikës konstruktive. Apo të shkurajojë personalizmin e diskursit politik, si pjesë e kulturës nga e cila duhet të ndahemi. Ndaj le ta veshim këtë sallë, ku edhe unë bëj pjesë prej vitesh tashmë, me përgjegjësitë e vërteta dhe shpesh të pathëna”, theksoi Peleshi.
Komente