Gjykata e Posaçme ka dhënë dënimet për të pandehurit e dosjes së inceneratorit të Fierit.

Gazetari i ABC News, Ermal Vija raporton se ish ministri i Mjedisit, Lefter Koka u dënua me 6.8 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Ndërsa ish sekretari në këtë ministri, Alqi Bllako u dënua me 2.8 vite burg.

Arben Dervishaj, në rolin e kolaudatorit të punimeve, u shpall i pafajshëm.

“Ka përfunduar seanca sa i takon procesit për inceneratorin e Fierit, ku gjykata ka dhënë disa vendime, dhe ka rrëzuar disa kërkesa të prokurorisë, shpallur të pafajshëm 3 persona të marrë të pandehur dhe duke lënë në fuqi kërkesën e prokurorisë, sa i takon ish minstrit të Mjedisit, Lefter Koka, për vitet e dënimit, duke e dënuar me 10 vite burg. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, është dënuar me 6.8 vite burg. Të vetmin ndryshim ka pasur gjykata sa i takon lefter Kokës, në lidhje me pasurinë. Gjykata e Posaçme ka vendosur që t’i konfiskohet një pasuri në Durrës me sipërfaqe 680 metër katror, ndërsa 4 pasuritë e tjera janë hequr nga sekuestro. Për Alqi Bllakon, Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 7 vite burg, gjykata e dënoi me 4 vite burg dhe në fund me 2.8 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Për Alqi Bllakon, gjykata e shpalli të pafajshëm për shpërdorim detyre.

Sa i takon vendimit tjetër, bëhet fjalë për Arben Dervishajn, në cilësinë e kolaudatorit të punimeve, gjykata e ka gjetur të pafajshëm, duke urdhëruar lirimin e tij. Në lidhje me Klodian Zoton, Prokuroria kërkoi dënimin me 12 vite burg, por gjykata vendosi dënimin me 8 vite burg”./