Burime të Washington Post kanë treguar se letrën e dorëheqjes e ka dorëzuar Wess Mitchell, diplomati kryesor përgjegjës për punët europiane.

Mitchell ia ka dorëzuar detyrën Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, duke thënë se dorëhiqet për arsye personale dhe profesionale. Ky diplomat amerikan ishte i implikuar në të ashtuajtuarën marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gazeta prestigjioze amerikane Washington Post  raporton se Wess Mitchell diplomati kryesor për çështje europiane në State Department ka  dhënë dorëhehqje nga detyra e tij, duke i shkaktuar një tronditje të madhe administratës së Presidentit Trump. Në letrën e dorëheqjes, të cilën ia ka dorëzuar Sekretarit  Pompeo, Mitchell ka thënë  se arsyet janë personale dhe profesionale. Ai më tutje në letër tregon që duhet të vazhdojë aleanca transatlantike, por që po largohet nga detyra për t’iu përkushtuar familjes së tij.

Sipas Mitchell, kjo dorëheqje nuk është protestë ndaj administratës edhe pse gazeta Washington Post e konsideron të tillë, marrë parasysh lëvizjet e fundit të mëdha në administratën e Presidentit Trump.

Mitchell e ka marrë detyrën  e Asistentit të Sekretarit  të Shtetit për Europë dhe Eurazi në shkurt të vitit 2017. Nga ardhja në krye të kësaj detyre, Mitchel ishte angazhuar për t’i zgjidhur problemet në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke bërë edhe vizita në Prishtinë e Beograd

Ai konsiderohej nga analistët në Amerikë si kundërshtar i fuqishëm i rritjes së influencës ruse dhe kineze. Mitchell kishte bërë thirrje te Trump që të shtohet bashkëpunimi i shteteve të NATO’s që të parandalohet rritja e influencës ruse.  Mbetet e paqartë se kush do të vijë në vend të tij dhe se si do të rrjedhin bisedat mes Prishtinës dhe Beogradit.

Veritas.com.al/