Temperaturat e larta të përplasjes politike Tiranë-Prishtinë, u rritën edhe njëhërë tjetër këtë mes Gushti.
Kryeministrat Edi Rama, homologu Zoran Zaev bashkë me presidentin e Serbisë Alekasandar Vuçiç, janë shprehur të gatshëm, ta çojnë përpara këtë nisëm edhe me vendet e tjera të rajonit, duke deklaruar se Shengeni Ballkanik tanimë i emërtuar Ballkani i Hapur,gëzon mbështetje e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gazetari Top Channel Muhamed Veliu përmes postës elektronike pyeti Departamentin Amerikan të Shtetit se cili është qëndrimi SHBA për Ballkanin e Hapur.
Një zëdhënës i DASH dha këtë përgjigje.
“Shtetet e Bashkuara me gjithëzemër mbështesin përpjekjet e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor në thellimin dhe forcimin përfshirës të integrimit ekonomik rajonal sipas rregullave dhe standardeve të BE-s”.
Në një kohë kur Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina janë skeptikë madje dhe kundërshtues, të Ballkanit të Hapur, Departamenti Amerikan i Shtetit u thotë:
“Ne inkurajojmë udhëheqësit rajonal të kërkojnë mundësitë e reduktimit të barrierave tregtare, rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike dhe të ndërtojnë në mënyrë të integruar rajonale dhe estetike ekonomitë që u shërbejnë qytetarëve të tyre”.
Qeveria Amerikane në përgjigjen dhënë Top Channel thekson në mënyrë specifike rëndësinë e katër parimeve mbi të cilat është ngritur dhe po promovohet Ballkani i Hapur nga Rama, Zaev dhe Vuçiç.
“Duke krijuar “Common Regional Market” “Një treg të përbashkët Rajonal” të atillë që siguron lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve, kjo është esenciale për të tërhequr investime dhe energji për rritje ekonomike”.
Në fund të qëndrimit për Top Channel, Departamenti Amerikan i Shtetit thotë:
“Ballkani Perëndimor është një rajon me potenciale të jashtëzakonshme të pashfrytëzuara, mishëruar me një vizion e përpjekje të njerëzve për tu bërë një rajon i lulëzuar e i begatë plotësisht i integruar në Unionin Europian”.