Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj është shprehur se rrogën e deputetit, për aq kohë sa do të jetë i tillë në Kuvendin e Shqipërisë, do ta dhurojë për vajzat jetime, rastin e të cilave emisioni ‘Opinion’ i TV Klan transmetoi të martën në darkë.

“Jam i detyruar dhe e bëj me kënaqësi që rrogën që e marr si deputet t’ua dhuroj këtyre vajzave për aq kohë sa unë të jem deputet”, – tha Shehaj.

Ai theksoi se kjo është shumë pak, pasi është i bindur se kjo nuk është zgjidhja. Gjashtë motrat, pasi u vdiqën të dy prindërit, mbetën pa ndihmë dhe në mes të katër rrugëve. ‘Opinion’ transmetoi në hyrje të emisionit rastin e tyre tragjik dhe u bëri thirrje gjithë institucioneve të vendit në radhë të parë, bizneseve dhe qytetarëve që t’i ndihmojnë këto gjashtë jetime që janë pa shtëpi, pa ndihmë dhe në pamundësi për të vijuar studimet e tyre.

Rasti i tyre do të transmetohet në një emision të veçantë të martën tjetër dhe ku të gjithë personat që dëshirojnë të kontribuojnë, mund t’i bashkohen nismës.

HISTORIA E TRISHTE

Në fshatin Surrej, rreth 1 orë larg qytetit të Kukësit, jetojnë për momentin 6 motra që kanë mbetur jetime.

Vdekja iu mori babain 6 vite me pare, dhe nënën përpara 3 muajsh. Që nga ajo ditë, këto vajza jetime humbën kujdesin dhe dashurinë prindërore, shtëpinë, të drejtën për t’u shkolluar dhe mundësinë për të jetuar një jete normale.

Besarta është 15 vjeç dhe njëkohësisht motra e madhe. Ajo është ende e traumatizuar nga humbja e te dy prindërve dhe shtëpisë.

Motrat me te vogla, Doruntina dhe Dashamirja janë 7 vjeç. Ato sapo kishin filluar klasën e pare, por u detyruan ta lënë përgjysmë 3 muaj me parë për shkak të fatkeqësisë që iu ndodhi.

Ajo që kërkojnë këto vajza është e thjeshtë: një vend që të mund ta quajnë “shtëpi” nga ku askush nuk mund t’i përzëre, një shkolle që ta frekuentojnë pa e ndërprerë, ushqim dhe dashuri nga çdokush që mund të dhurojë.

Veritas.com.al/