Kërcënimet për hakmarrje ndaj tradhtarëve që janë lëshuar në mitingje dhe tribuna të tjera, kanë bërë vend në sjelljen e militantëve të partive.  Ligoraq Karamelo, deputeti i PD që sapo mori mandatin, thotë se është kërcënuar me jetë. Edhe policia e ka pranuar denoncimin dhe ka nisur procedurën për kapjen e autorëve.

Karamelo denoncon:

“Rreth orës 3 e 30 jam kërcënuar në mënyrë flagrante nga 3 persona para Katedrales në qytetin e Korçës. Ata nisën duke më ofenduar, duke mu kërcënuar për tradhtinë që kam bërë, duke më sharë për identitetin tim etnik dhe për organizatën që përfaqësoj. Ajo që është e papranueshme është fakti se njerëz të kontingjenteve të tilla ju shërbejnë strukturave të caktuara apo janë thjesht militante, për Korçën janë të papranueshme këto sjellje dhe këto qëndrime.

Ajo është një ngjarje e rëndë e cila më prek thellë por mbi të gjitha më prek gjesti që bëhet. Me gjithë presionet që më bëjnë për të hequr dorë nga mandati, unë nuk e tërheq mandatin sepse kam vendosur t’i shërbej vendit.

Më kërcënuan me jetë, për familje, tentuan të më preknin edhe fizikisht. Për mua ishin fytyra të para, sipas informacioneve që kam policia ka shoqëruar njërin prej tyre.”- u shpreh deputeti Karamelo, pak pas ngjarjes.

Edhe policia ka njoftuar nisjen e procedurave:

‘Në datë 19.03.2019, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë është paraqitur shtetasi Ligoraq Karamelo, deputet në Kuvendin e Shqipërisë, i cili ka kallëzuar se ditën e sotme është fyer dhe kanosur për shkak të detyrës.

Policia ka shoqëruar disa persona dhe po kryen veprimet procedurale të rastit, deklaron policia.

Veritas.com.al/