Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në një takim me gra dhe vajza në Laprakë për të folur për mbylljen e kazinove dhe pikave të basteve.

Ai foli edhe për arrestimet e bëra këto dy ditë duke paralajmëruar edhe nesër një ‘ operacion të suksesshëm’.

“Këta të fortët me lidhje të forta kriminale, do të jemi shumë të ashpër me të fortët. Nesër besoj publiku do të njihet me një tjetër operacion të suksesshëm dhe do të vazhdojë deri sa i forti i fundit ta kuptojë se nuk ka të fortë në këtë vend, pasi del nga shtëpia, i fortë është komuniteti.

Ne do t’ i detyrojmë o të vihen në resht dhe të respektojnë ligjin e këdo qoftë, ose ka vetëm një vend për ta, aty ku shkuan sot ata që janë aty brenda,” tha Rama.

Ndërsa në lidhje me paratë e basteve, kreu i qeverisë u shpreh se ato duhet të shpenzohen për konsum familjar.

“Imagjinoni këtë shumë parash që shkon për lum ose për llum, që humbet pa asnjë dobi, pa asnjë produkt ose që i shkon në xhep krimit të organizuar, të kalojë në konsumin familjar. Mos të dalë paraja nga shtëpia, e të tretet në pikën e basteve afër shtëpisë, afër shkollës, por të mbetet në shtëpi. Ka një shqetësim normal për ata që janë punësuar në këtë aktivitet, apo për ata që kanë investuar që lokalin e tyre ta kthejnë në pikë bastesh”, tha kryeministri.

Veritas.com.al/