Një sasi eksplozivi ra nga një makinë që gjendej në parkingun e një qendre tregtare, sapo ajo u largua. Pakoja bombë e lidhur me një celular, u konstatua nga punonjësit e sigurisë. Policia rrethoi zonën dhe bëri të gjithë evakuuimin e qendrës, në zonën e Komunës së Parisit.

Me mbërritjen e forcave xheniere në parkingun e qendrës tregtare është konstatuar se bëhej fjalë për 500 gram tritol. Më vonë, pas këqyrjes së kamerave të sigurisë, policia saktësoi se pakoja kishte rënë nga makina tip Benz Mercedez ML, me targë AA 667 GT në pronësi të shtetasit Nuredin Suli.

Biznesmeni nga Fieri është person i njohur për policinë, për shkak të një konflikti të vazhdueshëm me familjen Sulo, edhe ajo nga Fieri. Ai rezulton se ka plagosur në bashkëpunim me vëllain e tij, Naim Suli, me 22 tetor të vitit 2011, Gëzim Sulon dhe djalin e tij, Endri Sulon.

Ekspertët antieksploziv kanë bërë të mundur pas 60 minutash çaktivizimin e lëndës shpërthyese. Në një komunikatë për mediat rreth ngjarjes, policia e kryeqytetit sqaron se  Nuredin Suli është një person i skeduar me precedente të mëparshëm kriminal.