Qeveria shqiptare ka mbyllur pa rezultat negociatat me kompaninë ‘Star Bridge Port Developments Limited’ për ndërtimin e portit të Karpenit në zonën e Kavajës që qeveria Rama e kishte prezantuar si një investim gjigant me vlerë 5 miliardë euro. Burimet nga Ministria e Financave thanë se projekti dështoi në fazën e negociatave pasi qeveria shqiptare nuk i ka pranuar kushtet e investitorëve në lidhje me të drejtat dhe tarifat.

Projekti që në prezantimin e tij nuk ngjalli besim për shkak se, se vlera e lartë prej 5 miliardë euro, sa gjysma e prodhimit të brendshëm të Shqipërisë, nuk mbështetej në fisibilitet. Nga ana tjetër, burimet e financimit nuk ishin të garantuara.

Projekti synonte ndërtimin e një porti të thellë që mundëson hyrjen e anijeve tregtare, zonë ekonomike dhe logjistike dhe ndërtimin e një terminali rigazifikimi LNG dhe një centrali për prodhim energjie (central energjie me gaz ose biomase), duke mundësuar hapjen e 70 mijë vendeve pune.  Qeveria shqiptare hyri në negociata me Star Bridge Port Developments Limited, një subjekt për qëllime të veçanta, i regjistruar në Angli dhe Uells në përbërje te të cilit janë kompani të tilla si AECOM, SFTA, Ramboll, RVT Architects, Summa etj. Mirëpo kapitali i kompanisë Star Bridge Port Developments Limited ishte 100 sterlina dhe kjo ngjalli dyshimet e para për seriozitetin e projektit.

Një projekt i përmasave të tilla do të kërkonte një infrastrukturë dhe ndërlidhje shumë të mirë rajonale. Sot kjo infrastrukturë mungon dhe ndonëse është në plan të zhvillohet nuk dihet se kur mund të jetë gati (minimumi, Shqipëria sot nuk ka hekurudhë funksionale), duke e nxjerrë jashtë loje Portin.

Propozimi për projektin e Karpenit u miratua në qeveri qysh në vitin 2016 dhe pas miratimit, grupet e ekspertëve kishin vetëm 60 ditë kohë për negociatat. Edhe pas përfundimit të afatit të negociatave qeveria shqiptare nuk e ka pranuar zyrtarisht dështimin e tyre edhe pse kjo ka ndodhur realisht.

Edhe nëse negociatat do të ishin të suksesshme, projekti do të kishte një kosto mbi 700 milionë euro shpronësimesh, pasi zona ku ishin parashikuar punimet është mjaft e populluar.(Monitor)

Veritas.com.al/