Kryetari i PS njëherësh kryeministri Edi Rama në takimin e zgjeruar të grupit parlamentar socialist, tha se në rrugën e negociatave të integrimit do të zgjidhet konflikti i stisur, në lidhje me kritikat për ligjin e zonave të mbrojtura.
Rama theksoi se ligji do të përputhet tërësisht me direktivën e BE-së, dhe nenet do skanohen një për një me Komisionin Europian.
“Bëmë ligjin e parë të integruar me BE-në për zonat e mbrojtura dhe zgjeruam në mënyrë të ndjeshme sipërfaqen e tyre dhe e kthyem mbrojtjen e natyrës në sistem administrimi. Ndryshimet e vitit 2024, le ta mbajë shënim kush e dëgjon, në atë ligj, të përdorur papushim si benzinë për zjarrin e protestës, nga individë me axhenda politike, përfshirë disa eurodeputetë që në rastin më të mirë s’e kanë lexuar fare, dhe në rastin më të keq kanë dashur ta besojnë rolin e viktimave të imperializmit amerikan. Ato ndryshime janë bërë në përputhje me direktivën europiane. Ka një proces në zbatim të kalendarit të negociatave, do skanohen një për një me Komisionin Europian, për ta përputhur tërësisht atë ligj me direktivën e BE. Ky konflikt i stisur do zgjidhet për bukuri në rrugën e negociatave ku s’kalon asgjë pa miratimin e Komisionit”, tha Rama.
Komente