(FOTO: Francoise Oliveira- gruaja e ambasadorit grek të vrarë në momentin kur ndalohet nga Policia)/

Lajmi se ambasadori i Greqisë në Brazil, Kyriakos Amoiridis, ishte vrarë jashtë shtëpisë, në një “makinë të djegur”, rezulton jo i vërtetë. Del në dritë fakti se ai u vra në shtëpinë e vet dhe u transportua me makinën e vrasësit. Detajet janë tronditëse, ashtu si edhe vetë akti kriminal.

Kamerat e sigurisë jashtë shtëpisë së diplomatit kanë regjistruar momentin kur i dashuri i gruas së tij Sérgio Gomes së bashku me nipin Eduardo Moreira bëhen gati për të hyrë në banesë.  Ata qëndruan përreth tri orë brenda shtëpisë dhe, siç del, pasi kryen vrasjen dolën nga shtëpia në ora 03.20 të mëngjesit.

Ata kanë hequr nga banesa trupin e ambasadorit për ta djegur rreth 300 kilometra larg vendngjarjes. Të hënën e kaluar Francoise Oliveira- gruaja braziliane e ambasadorit grek,  kishte marrë vajzën 10 vjeçare dhe ishte larguar për t’u kthyer në shtëpi pas krimit.

Gjatë marrjes në pyetje gruaja e Kyriakos Amoiridis ka mohuar çdo përfshirje në vrasjen e ambasadorit grek në Brazil. 40- vjeçarja thotë se nuk ka asnjë lidhje me krimin, duke ia kaluar të gjithë fajin të dashurit të saj, i cili mori përsipër autorësinë, por duke thënë se e kishte kryer krimin në kushtet e vetëmbrojtjes. Lidhja e tyre kishte nisur gjashtë muaj më parë kur Sergio kishte marrë detyrën si përgjegjës për sigurinë në shtëpinë e ambasadorit. Ata krijuan një lidhje dashurie që e mbajtën të fshehtë deri një javë më parë kur krimi makabër nxori në dritë lidhjen e fshehtë mes tyre.

/Veritas.com.al/