56 persona janë arrestuar dhe 97 të tjerë janë proceduar penalisht pas akteve të dhunës gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet.
Sipas Policisë, gjatë tubimit janë dëmtuar institucione shtetërore, biznese, banka dhe prona publike e private, ndërsa janë djegur edhe automjete të Policisë.
Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se disa pjesëmarrës kanë hedhur gurë, sende të forta dhe lëndë piroteknike në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinave të institucioneve shtetërore.
Si pasojë e përplasjeve, 24 punonjës policie janë dëmtuar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore.
Sipas autoriteteve, gjatë protestës janë shkatërruar dhe dëmtuar gjithashtu biznese, banka, sinjalistikë rrugore, godina institucionesh shtetërore dhe prona të tjera publike e private.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, janë arrestuar 56 shtetas, ndërsa ndaj 97 të tjerëve ka nisur procedimi penal, pasi dyshohen për përfshirje në veprimet e kundërligjshme gjatë tubimit.
Mes të arrestuarve janë persona të moshave të ndryshme, përfshirë edhe 16 të mitur, të moshave 15 deri në 17 vjeç.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Komente