Ministria e Jashtme ka dalë me një deklaratë zyrtare ku bën me dije se çështjeve të ngritura të martën nga Presidenti i Republikës do t’u përgjigjet në rrugë institucionale.

 

Jozyrtarisht burimet i thanë Top Channel se diplomacia shqiptare i ka gati emrat, që do t’i jepen Presidentit Meta, e shumta të enjten. Ajo që Top Channel ka mësuar në Athinë dhe Tiranë është se pala greke do të paraqitet në negociatat teknike me vetëm 4 negociatorë, sepse numri i institucioneve të përfshira nga pala greke është vetëm 3.

Kurse në rastin e Shqipërisë, numri i negociatorëve do të varet nga institucionet e përfshira. Deri tani janë 10 institucione, si Ministria e Jashtme, ajo e Mbrojtjes, Instituti i Gjeografisë e të tjerë. Por, Presidenti i Republikës ka kërkuar përfshirjen edhe të tre institucioneve të tjera dhe Ministria e Jashtme ka ndërmend ta pranojë edhe këtë kërkesë, ndaj numri i negociatorëve shqiptarë do të jetë të paktën 13, përkundër vetëm 4 për palën greke.

Në të gjithë këtë histori, qeveria shqiptare ka aplikuar një profil të ulët, duke privilegjuar komunikimin në rrugë institucionale dhe jo publik, pavarësisht kostove që kjo i ka shkaktuar në sytë e opinionit publik për mungesë transparence.

Duke aplikuar këtë profil të ulët, qeveria shqiptare mesa duket nuk do që në media të filtrojnë detaje, që pala greke mund t’i përdorte në avantazhin e saj. Por, dalja në konferencë për shtyp e kreut të shtetit po e detyron Ministrinë e Jashtme, që t’i përgjigjet Presidentit Meta me qetësi dhe ndoshta edhe me dashuri, sepse qeveria shqiptare është nën presionin e kohës.

Të njëjtat burime konfirmuan për Top Channel se as Presidenti Meta nuk synon të bllokojë negociatat. Përveç një sinjali që mesa duket do të çojë në Athinë se është ai njeriu i çështjes, Presidenti Meta, shpjegojnë burimet, nuk do të donte të merrte përsipër koston e dështimit të heqjes së ligjit të luftës, as të dështimit për gjetjen e një zgjidhje përfundimtare për pronat e shqiptarëve në Greqi.

I vetmi shqetësim i qeverisë shqiptare, këmbëngulin burimet, është që detaje të negociatave, që vetë diplomacia shqiptare e pranon se janë delikate, të mos dalin në publik. Çdo publikim i tyre, përveç se do të dobësonte pozitën negociuese të Shqipërisë, mund të sillte edhe një përdorim për politikë të brendshme, një ushtrim ky aspak i lehtë edhe për palën greke, ku njësoj si në Shqipëri, opinioni publik është mjaft i ndjeshëm ndaj çdo lëshimi eventual ndaj palës tjetër. (Top Channel)

Veritas.com.al/