Rritet vlera e dëmit të konstatuar te bizneset e dëmtuara për shkak të protestës së dhunshme.
Administrata Tatimore ka përditësuar të dhënat ku theksohet se deri me tani dëmi ka arritur në 2.15 milionë euro.
Bilanci paraprak evidenton pasojat e dhunës në aktivitetin e 127 bizneseve. Dëmet e raportuara përfshijnë humbje materiale dhe dëmtime të pronës.
Shifra e publikuar përfaqëson vlerën e dëmit të evidentuar deri më tani, ndërsa numri i subjekteve të prekura mund të ndryshojë në varësi të verifikimeve dhe raportimeve të mëtejshme.
Administrata Tatimore po vijon mbledhjen dhe verifikimin e të dhënave nga bizneset e dëmtuara. Ndërkohë, subjektet që kanë pësuar dëme mund të aplikojnë në platformën “Dëmi Im”, për të deklaruar humbjet dhe për të nisur procedurat përkatëse të verifikimit. Bizneset duhet të plotësojnë informacionin identifikues, NIPT-in, informacionin mbi ambientin tregtar dhe sigurimin, nëse disponojnë një të tillë, si dhe vlerën e përllogaritur të dëmit.
Pasojat ekonomike të protestës rikthejnë në vëmendje ndikimin që aktet e dhunshme kanë mbi bizneset, aktivitetin tregtar dhe pronën private.
Bilanci pritet të rritet edhe më tej në ditët në vijim pasi përveç dëmtimeve fizike të ambienteve një sërë biznesesh kanë ndërprerë apo kufizuar aktivitetin për ditë të tëra .
Komente