Kryeministrja e Bangladeshit Sheikh Hasina dha dorëheqjen të hënën dhe u largua nga vendi, pas incidenteve më të dhunshme që vendi i Azisë Jugore ka parë që nga themelimi i tij në 1947, në të cilat u vranë qindra protestues.
Menjëherë pasi Hasina u largua nga rezidenca e kryeministrit me një helikopter ushtarak me motrën e saj, shefi i ushtrisë gjenerali Ëaker-Us-Zaman konfirmoi në një fjalim televiziv se politikanja 76-vjeçare ishte larguar nga vendi dhe se do të formohej një qeveri e përkohshme.
Ai shtoi se “do të formojë një qeveri të përkohshme” pas konsultimit me presidentin e vendit. Ai gjithashtu u bëri thirrje protestuesve të kthehen në shtëpitë e tyre dhe kërkoi pak kohë për të gjetur një zgjidhje.
Sipas raporteve, ish kryeministrja zbarkoi pak kohë më parë në qytetin verilindor të Indisë, Agartala. Pamjet televizive tregojnë mijëra njerëz në rrugët e Dhakës, duke festuar dhe duke mbajtur në duar pankarta.
Mijëra njerëz sulmuan edhe rezidencën zyrtare të Hasinës. Pamjet tregojnë turmartn ë brenda rezidencës dhe disa mund të shiheshin duke mbajtur televizorë, karrige dhe tavolina përmes një prej ndërtesave më të mbrojtura të vendit.
Protestuesit në Dhaka u ngjitën në majë të një statuje të madhe të liderit të pavarësisë, Sheikh Mujibur Rahman, babait të Hasinës.
Bangladeshi është përfshirë nga protestat dhe dhuna që nga muaji i kaluar, pasi grupet studentore kërkuan heqjen e një sistemi të diskutueshëm të kuotave të punës në qeveri.
Kjo u përshkallëzua në një fushatë për të rrëzuar Hasinën, e cila fitoi një mandat të katërt radhazi në janar në zgjedhjet e bojkotuara nga opozita.