Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha nga Shkodra ka komentuar dhunën e ndodhur para Parlamentit një ditë më parë , pasi deputetë të opozitës u përplasën me policinë.

Gjithashtu ai hodhi poshtë pretendimet e deputetëve të opozitës se policia kishte armë.

Ministri Hoxha sqaroi se nuk ka pasur asnjë tentativë të nxjerrjes së armës nga ana e punonjësve të policisë, ndërsa u shpreh qartë se goditja ndaj punonjësve të policisë nuk do të tolerohet.

“Keqardhje ndaj deputetëve të opozitës që ushtruan dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe të Gardës që ishin atje për të kryer detyrën. E drejta e tubimit do të garantohet gjithmonë nga ana e punonjësve të policisë, kurse dhuna, goditja ndaj punonjësve të policisë nuk do të tolerohet. Në deklaratën e policisë së Shtetit të dhënë dje është thënë qartë se nuk ka pasur asnjë tentativë të nxjerrjes së armës nga ana e punonjësve të policisë. Ritheksoj në ligjin për tubimet është përcaktuar shprehimisht rastet e përdorimit të armëve të zjarrit. Forcat e policisë që kanë qen pjesë e planit të masave nuk kanë pasur armë zjarri. Sulmi i deputetëve ndaj policisë deh Gardës së Republikës në prag të marrjes së ditës së negociatave dhe anëtarësimit në BE nuk është i pranueshëm sepse policia dhe Garda është atje për të mbrojtur institucionet. Forcat e policisë së Shtetit kanë qenë atje për të bërë detyrën dhe mbrojtjen e institucioneve”, tha ai.