
Mbi 85 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë e kanë zgjedhur preferencën politike. Zarfet me fletet e tyre të votimit kanë mbërritur në Parkun Olimpik. Ato do të qëndrojnë të grupuara sipas qarqeve dhe do të hapen më 11 maj, në të njëjtën kohë kur nis edhe numërimi për fletët brenda vendit.
Mirëpo kur na ndajnë vetëm 11 ditë nga zgjedhjet, 29.358 zarfe ende nuk janë tërhequr nga zgjedhësit, kryesisht në Greqi. Për këtë arsye edhe ambasada shqiptare në shtetin fqinj ka njoftuar se pikat e kompanisë postare në Athinë dhe Pire do të punojnë më orë të zgjatura.
Nga ana e tyre edhe partitë politike kanë shprehur shqetësime lidhur me problematikat që po hasin emigrantët në marrjen apo dërgimin e fletëve të votimit kryesisht në Greqi dhe Itali.
Vetë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve thotë se ka ende kohë për dërgimin e fletëve të votimit në kohë në mënyrë që edhe kthimi i tyre të jetë brenda procedurave ligjore të parashikuara. Një ditë më parë, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se pagesa e kompanisë do të bëhet pas shërbimit ndaj nuk duhet që raste sporadike të cënojnë procesin që sic tha ai, po ecen me ritme të kënaqshme.
Referuar të dhënave të deritanishme, në Greqi janë dërguar mbi 68 mijë zarfe dhe kanë mbërritur vetëm 7826 kurse në Itali janë shpërndarë mbi 91 mijë fletë votimi dhe kanë ardhur 38.947. Ndërsa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbërritur 8.846 fletë nga mbi 20 mijë që janë shpërndarë.
Fletët e votimit me preferencat e diasporës duhet të mbërrijnë në territorin shqiptar brenda orës 19:00 të dielës së 11 majit, pasi cdo votë që vjen pas kësaj ore nuk do të numërohet.
Komente