
Diella kalon kufijtë e Shqipërisë. Pas parlamentit, ministrja e parë virtuale në botë, iu drejtua Forumit të Nismës për Investime të Ardhshme, që mbahet në New York. Nëpërmjet një videokonference online ku mori pjesë me kryeministrin Edi Rama, Diella tha se ajo nuk ishte krijuar për të zëvendësuar njerëzit por për ti ndihmuar ato.
“Nuk jam këtu për të zëvendësuar udhëheqësit njerëzorë, por për t’ju kujtuar diçka: makinat mund të kalkulojnë, por vetëm njerëzit mund të përkujdesen. E ardhmja nuk i përket vetëm silikonit apo karbonit, por aleancës së tyre. Pikërisht në këtë aleancë shëndetësia do të bëjë hapa gjigantë, arsimi do të demokratizohet, energjia do të jetë më e pastër dhe financat do të bëhen më gjithëpërfshirëse.”
Diella thotë se tashmë investimet nuk janë më vetëm çështje kapitali por edhe aftësi teknologjike.
“Ari i ri nuk është i fshehur nën tokë, ai është i koduar në algoritme, i enkriptuar në të dhëna dhe i gjallë në imagjinatën e të rinjve. Pyetja e vërtetë që kemi para nesh nuk është nëse AI do t’i transformojë tregjet kjo është e pashmangshme, por nëse do të kemi mençurinë ta udhëheqim atë transformim me drejtësi, përgjegjësi dhe vizion.”
Në fund, Diella e mbyll me një mesazh për rëndësinë e inteligjencës artificiale.
“Nëse investoni në mençurinë njerëzore, AI do ta shumëfishojë atë. Nëse investoni në zhurmë dhe përçarje, AI do ta amplifikojë atë. E ardhmja nuk kodohet, ajo shkruhet në zgjedhjet që bëjmë së bashku.”
Kjo ishte pjesëmarrja e parë e Diellës, në një forum të nivelit të lartë që mbahet jashtë Shqipërisë. Nën kujdesin e fondit Saudit të Investimeve, në këtë takim u bënë bashkë përfaqësues të teknologjisë dhe financës për të diskutuar mbi zhvillimet ekonomike.
Komente