Fabrika e riciklimit të mbetjeve urbane në zonën e Kasharit dhe qindra tonë plastike u përfshinë nga zjarri rreth orës 10:00 të paradites.
Ish- kryeministri bBerisha, mjek në profesion, ka reaguar menjëheerë duke thënë se “Rrezikohet nga gazra helmuese jeta e dhjetra mijëra qytetarëve! Ndërsa ekspertë të fushës e aktivistë të shoqërisë civile kanë thënë se ‘kjo është shembëlltyra e inceneratorëve”, që po tenton të ndërtojë qeveria…
Pjesa perëndimore e Tiranës është mbytur në tym të zi. Ndërsa forcat zjarrfikëse ndesheshin me flakët banorët dolën nga shtëpitë e tyre.
Të tjerë banorë të zonës ose jo, ndiqnin në heshtje se si flakët vendosën nën pushtet fabrikën ku ata punonin.
“Është buka ime, buka e fëmijëve të mi”, shprehet një qytetare.
Është ende herët për të dhënë një pistë mbi shkaqet e rënies së zjarrit. Për momentin ajo që mund të thotë njeriu që parandalon zjarret është se në fabrikën “Everest” mungonin kushtet e sigurimit të mbrojtjes nga zjarri, e për këtë gjashtë muaj më parë iu ishte lënë detyrë plotësimi i tyre.
“Ky subjekt është ndëshkuar me gjobë për mosplotësim të kushteve të sigurimit ndaj zjarrit dhe vitin e kaluar ka pasur një rast të tillë”, shprehet Arjan Ahmetaj, shef i parandalimit të zjarreve në drejtorinë e Zjarrfikësve , Tiranë.
Me gjithë përpjekjet gjithçka u shkrumbua, ndërsa përveç reve të zeza të tymit, ajo që do ngelet pas kësaj ngjarjeje është ndotja e lartë e ajrit në kryeqytet.
Fabrika ‘’Everest’ e cila qëllimin e kishte për të ricikluar mbetjet jo vetëm të Tiranës, këtë të diele u kthye në ndotësen më të madhe. Reja shumë toksike që u prodhua nga djegia e plastikës, është përhapur në gjithë Tiranën.
Hetimet po vijojnë nga Prokuroria, por të dhënat e para tregojnë se masat e sigurisë nga mbrojtja kundër zjarrit në këtë fabrikë ekzistonin vetëm në letër sepse në realitet, në fabrikën e “Everest” nuk kishte as fikse zjarri dhe as ujë.
Veritas.com.al/