Është zbardhur dinamika e vrasjes që ka tronditur që në orët e para të së premtes gjithë Tiranën.

31 vjeçari Xhafer Mata e ka pritur 19 vjeçaren Xhujeta Çuni fare pranë Kishës në zonën e Don Boskos në Tiranë dhe kur është përballur me të i ka kërkuar të flasin. Lidhja e tyre dashurore mesa duket kishte përfunduar dhe i riu ka kërkuar të bisedojë me 19 vjeçaren.

Të shumtë kanë qenë dëshmitarët okularë të ngjarjes makabre që ndodhi rreth orës 8 të këtij mëngjesi. Xhujeta Çuni e ka refuzuar 31 vjeçarin duke i thënë që ta lërë të qetë, por mesa duket Xhafer Mataj është nervozuar dhe në ato momente ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar drejt vajzës.

E reja është rrëzuar pasi ka marrë plumbin. 31 vjeçari në ato momente, me armë në dorë, ka shkaktuar mjaft panik mes qytetarëve. Disa fjalë kanë dalë nga goja e tij, si një përpjeke për t’i thënë njerëzve që nuk ka ndërmend të qëllojë njeri.

Në këtë moment ai është kthyer drejt Xhujetës dhe ka parë që ajo ende lëvizte. Aty i riu është afruar dhe ka qëlluar sërish mbi trupin e vajzës, duke e lënë të vdekur në vend.

Më tutje ka kaluar rrugën dhe është “fshehur” në një grumbull pemësh. Dëshmitarët shprehen, siç raporton Neës24, se i riu ka nisur të qajë me ngashërim. Sirenat e policisë janë dëgjuar në sfond e më pas e shtëna që i riu i ka drejtuar vetes.

Xhafer Mata arriti i gjallë në spitalin e traumës, por pas rreth dy orësh ka ndërruar jetë. Mjekët e mbajtën të gjallë përmes aparaturave, e madje nuk mundën as t’i nxirrnin nga koka plumbin me të cilin qëlloi veten, teksa ishte ende gjallë.

Veritas.com.al/