Kryeministri Edi Rama sot paradite ka zhvilluar një takim me ambasadorët shqiptarë nëpër botë.

Para diplomatëve, Rama e ka vënë theksin tek rritja e investimeve të huaja, që kërkon sipas tij një nivel koordinimi që institucionet shqiptare nuk e kanë pasur më parë, por që pa të cilin është e pamundur të hartohet një program suksesi në këtë drejtim.

“Unë besoj se puna e bërë me përgatitjen e këtij plani për koordinimin e institucioneve është një bazë e mirë që do të kërkojë kohën e vetë për t’u konsoliduar. Ama është e rëndësishme që çdonjëri nga drejtuesit e misioneve tona diplomatike të kuptojë rëndësinë e madhe të rolit të tij për të ndihmuar dhe këmbëngulur në kalimin sa më të shpejtë e me sukses të kësaj faze të institucioneve, që duhet t’i vihet në shërbim procesit të ndërveprimit në çdo vend ku çdo ambasadë e konsullatë do të bëjë punën e vetë”, ka thënë Rama.

Ai ka theksuar se sot janë krijuar të gjitha kushtet për të komunikuar me të gjithë ata që janë të interesuar për potencialet dhe mundësitë që ofron vendi ynë për investime.

“Ka një interes për të investuar në vendin tonë në turizëm, por edhe në sektorin energjetik e atë të naftës dhe besoj se ne duhet të fokusohemi fort tek turizmi, manifaktura, zhvillimi rural, etj”, ka vijuar Rama.

Në këtë drejtim, ka shtuar kreu i qeverisë, një rol kyç mund të luajë edhe diaspora shqiptare, e cila sipas tij është konsoliduar ndër vite duke u kthyer në një faktor ndikues.

“Diaspora shqiptare është e përbërë nga disa gjenerata, nga ajo më e vjetër tek ajo më e re, e krijuar pas shembjes së komunizmit”, ka shtuar Rama.

Veritas.com.al/