Qeveria po përgatit një platformë të re dixhitale, të quajtur “Pasqyra Albania”, e cila synon të modernizojë dhe përmirësojë mënyrën e trajtimit të problematikave të raportuara nga qytetarët.
Sipas planit të prezantuar gjatë mbledhjes së qeverisë, platforma do të funksionojë përmes dy seksioneve kryesore: “Flamingo Mirror” dhe “Radar”.
“Flamingo Mirror” do t’u mundësojë qytetarëve të raportojnë dhe ankohen për problematika që nuk janë zgjidhur nga administrata shtetërore. Ndërkohë, “Radar” do të shërbejë si një sistem gjurmimi, përmes të cilit qytetari do të mund të ndjekë në kohë reale statusin e ankesës së tij.
Procesi i gjurmimit pritet të nisë brenda 48 orëve nga paraqitja e kërkesës, ndërsa objektivi i qeverisë është që problematikat e qytetarëve të marrin zgjidhje brenda dy javësh. Shkeljet e afateve do të monitorohen dhe do të jenë të evidentueshme përmes sistemit.
Platforma e re synon të jetë një version më i avancuar i portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”, duke e vendosur theksin te transparenca dhe ndjekja e përgjegjësive të administratës.
Mbledhja e kryeministrit Rama me ministrat në Pogradec ka nisur në orën 11:00 dhe pritet të përfundojë rreth orës 14:00. Çdo ministër ka në dispozicion rreth 15 minuta për të raportuar mbi punën e dikasterit përkatës, përfshirë edhe të dhënat mbi prokurimet për periudhën janar-gusht 2026.
Një tjetër element i diskutimeve lidhet me mënyrën e komunikimit publik të ministrave dhe promovimin e punës së tyre në media.
Mbledhja zhvillohet pak ditë përpara fillimit të shtatorit, kur kryeministri Edi Rama pritet të thërrasë Asamblenë e Partisë Socialiste. Në këtë mbledhje pritet të raportohen edhe ndryshimet e mundshme në kabinetin qeveritar dhe në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste.
Komente