Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani thotë se përshpejtimi i procesit të integrimit të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, do ta bëjë Europën më të plotë dhe të sigurt.

Gjatë fjalës së tij në një aktivitet të mbajtur në Ministrinë e Jashtme për 9 majin, Ditën e Europës, Hasani u shpreh se besimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është i palëkundur.

Europa është këtu sot, në paqe, në siguri dhe në liri sepse, përtej dallimeve dhe kufijve gjeografikë, ekziston një interes i përbashkët. Sepse kjo narrativë vlerash dhe interesash të përbashkëta u bë edhe më e fuqishme dhe frymëzuese, më shpresëdhënëse në mesin një grumbulli rrënojash të Luftës së Dytë Botërore. Në 1941-n, politikanë antifashistë italianë, të internuar në Ventotene, ngjizën konceptin e një Europe të lirë e të bashkuar në manifestin e tyre të njohur. Kujtojmë me këtë rast edhe ata shqiptarë që u internuan në këtë ishull për shkak të bindjeve të tyre. Më herët akoma, në 1922-in austriaku Coudenhove-Kalergi pati filluar të shkruante një seri artikujsh dhe projektin e tij “Paneuropa”, në të cilin ai tregonte nevojën për të arritur një rend të ri evropian. E të përfytyrosh një Europë të lirë e të bashkuar në një nga periudhat më të errta në historinë e njerëzimit është më shumë se një ëndërr, është një vizion profetik. E pra, ky vizion që u shndërrua në një udhëtim të gjatë, tashmë është një realitet për të gjithë ata që janë anëtarë të Bashkimit Europian, por edhe për ne që aspirojmë të jemi pjesë e këtij Unioni.

Sot, pas 83 vjetësh, një tjetër luftë po zhvillohet në hapësirën gjeografike europiane dhe në kufijtë fizikë të Bashkimit Europian. Një tjetër makth apokaliptik i kanoset Europës dhe bashkësisë së vendeve liberale e demokratike. Një ish-fuqi perandorake, Rusia, duke kalëruar mbi një ëndërr donkishoteske ndërmorri para dy vjetësh një agresion kundër një vendi të pavarur e sovran, Ukrainës, me synimin për të rimëkëmbur Perandorinë cariste-komuniste. Nuk përbën mister për askënd që agresioni putinian nuk ka ndër mend të ndalet këtu, por synon të shtrihet përtej kufijve të Ukrainës. Armiku i tij nuk është vetëm një vend, një popull, por një sistem që ngrihet mbi pluralizmin, të drejtat themelore të njeriut, mbi një sistem që mishërohet sot nga Perëndimi dhe më konkretisht nga Bashkimi Europian. Lufta në Ukrainë na nxiti të kuptojmë një mësim të madh: askush prej nesh individualisht nuk është më i sigurtë në qoftë se nuk jemi të gjithë të bashkuar në një bllok.

Të gjithë bashkohemi në gjykimin se jetojmë një epokë ndryshimesh dhe kthesash për shkak të rikthimit të luftës në kontinentin tonë. Ky konflikt, jo midis qytetërimesh, por mes lirisë dhe tiranisë, mes demokracisë dhe diktaturës jo vetëm që nuk e lëkund besimin tonë kundrejt Bashkimit Europian, por, përkundrazi, e bën atë edhe më të fortë. Prandaj, fjala kyç për Europën sot, por sidomos për ne, është përshpejtimi i procesit të integrimit, jo ngecja në vend, jo kthimi mbrapa. Vetëm kështu Europa do të jetë më e plotë dhe më e sigurtë përkundrejt çfarëdolloj sfide brenda dhe jashtë kontinentit.

Thënë më troç: pa bashkësinë e vendeve të Bashkimit Europian as edhe një vend i veçantë, sado i madh e i zhvilluar qoftë, nuk mund të luajë një rol protagonisti në skenën globale. Edhe pas 30-vjetësh, në memorien kolektive të shqiptarëve nuk është shuar jehona e thirrjes së studentëve të dhjetorit 1990, të cilët u ngritën kundër diktaturës me sloganin historik “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”. Ky slogan është sot teza parësore e politikës së jashtme shqiptare, aspirata e një populli pavarësisht bindjeve politike, përkatësive etnike e fetare. Ne si shoqëri, kemi bërë dhe do të vijojmë të bëjmë gjithçka që është e mundur nga ana njerëzore, që procesi jetik i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin European, të mos shndërrohet në narrativë biblike. Një endje fizike e shpirtërore në shkretëtirë për të mbërritur në Tokën e Premtuar. Shpesh, gabimisht dëgjojmë të thuhet integrimi i Shqipërisë në Europë, duke lajthitur e harruar se ne jemi në Europë jo vetëm gjeografikisht, por edhe politikisht e kulturalisht. Kufijtë e Europës nuk janë thjesht e vetëm kufij gjeografikë, por kryesisht kufij shpirtërorë. Ky përjetim i bën shqiptarët të ndihen europianë.

Bashkimi Europian po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare të 6-9 qershorit. Ndoshta si asnjëherë tjetër më parë ndjeshmëria, angazhimi dhe pjesëmarrja në to nuk ka ngjallur një interes në këto përmasa. Kjo lidhet jo thjesht me vetëdijën dhe identitetin e të qenit europian, por edhe me atë shkallë përgjegjësie për kontinentin tonë dhe të ardhmen e përbashkët në kohë të pazakonta. Pavarësisht se cila prej forcave dhe grupimeve politike që përbëjnë yllësinë e politikës mbareuropiane do t’i fitojë këto zgjedhje, e rëndësishme është që procesi i integrimit të akselerojë si asnjëherë tjetër drejt atij objektivi strategjik që synojmë të gjithë tok: anëtarë me të drejta të plota të Bashkimit Europian. Kështu Europa do të jetë më e plotë. Kështu edhe ne do të ndihemi më të plotë”, theksoi ai.