Kryeministri Edi Rama ka vijuar replikën me zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme të Iranit, duke thënë se tashmë ata i janë bashkuar protestave duke përsëritur parullat dhe thirrjet e protestuesve shqiptarë.

“Edhe regjimi terrorist i Teheranit thërret në shqip “Rama ik”. Ja edhe qeveria e ajatallohëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës së bulevardit, madje edhe me parullat në shqip, njësoj si ata që e kthyen nga protestë mjedisore në protestë për rrëzimin e qeverisë! Bashkëngjitur replika ime në X edhe në emrin e atyre protestuesve që janë akoma aty për të mbrojtur natyrën, jo për ta bërë Shqipërinë shesh për përsheshet e fuqive lloj-lloj, nga mesjetarët iranianë, që e duan të djegur këtë oaz shembullor të tolerancës ndërfetare e të marrëdhënieve të shkëlqyera qoftë me Izraelin, qoftë me vendet arabe apo Turqinë, tek grupime lloj-lloj e media ndërkombëtare bashkë me lloj-lloj individësh nga lloj-lloj vendesh, që dufin me Trumpin po e nxjerrin këto ditë përmes Shqipërisë, duke i përmbytur rrjetet sociale me lloj-lloj gjysmë të vërtetash, të cilat fryhen e fryhen duke u bërë gënjeshtrat më të mëdha!”, shkruan Rama.

“Shqipëria është shumë e vogël për të rënë në këtë kurth të madh, nga ku rrezikojmë të kthehemi me këmbët tona në pikën që të mos afrohet më asnjë investitor i huaj, ndërsa turizmi të mbetet shumë mbrapa krahasimisht me konkurrentët tanë, duke na dënuar me qëndrimin në kategorinë e dytë për kushedi sa vjet të tjera…”.

REPLIKA

Oh Perëndi, sa të paturpshëm jeni!

Gjithsesi, faleminderit për shqetësimin tuaj lidhur me inteligjencën e popullit shqiptar.

Do të ishte shumë më bindës nëse ky shqetësim do të vinte nga përfaqësues të një regjimi që nuk i mbyt sistematikisht qytetarët e vet me censurë, frikësim, ndërprerje të internetit dhe shtypje të çdo zëri kundërshtues.

Sa për sovranitetin, Shqipëria nuk merr leksione mbi sovranitetin nga një qeveri, operativët e së cilës u kapën duke kryer sulme kibernetike ndaj shërbimeve publike dhe institucioneve shqiptare, gjë që çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit.

Ju citoni protestues shqiptarë që thërrasin në rrugë. Shumë mirë. Kjo quhet demokraci. Në Shqipëri njerëzit janë të lirë të protestojnë kundër qeverisë së tyre, të kritikojnë Kryeministrin e tyre, të kërkojnë drejtësi dhe të kërkojnë zgjedhje të reja pa pasur frikë nga burgosja.

A mund të thuhet e njëjta gjë për njerëzit në emër të të cilëve pretendoni se flisni ju?

Dhe është veçanërisht domethënëse që papritur keni zbuluar një shqetësim kaq të thellë për protestuesit në Tiranë, ndërkohë që i keni duart të përlyera me gjakun e dhjetëra mijëra qytetarëve tuaj të masakruar, ndërsa janë të panumërt të tjerët që vazhdojnë të vuajnë përndjekjen, represionin dhe burgosjen, kurse dhjetëra miliona njerëz mbeten të bllokuar në vendin që e keni kthyer në një kurth, i cili përngjet më shumë Mesjetës sesa shekullit të njëzetenjëtë.

Populli shqiptar është vërtet mjaftueshëm inteligjent për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra. Pikërisht për këtë arsye ai di ta bëjë dallimin midis një argumenti demokratik dhe propagandës së një regjimi. Ushtarët tuaj virtualë, profilet tuaja të rreme dhe videot tuaja të manipuluara mund t’i shtojnë konfuzionit të përgjithshëm digjital helmin e regjimit tuaj të urrejtjes, por nuk do të arrijnë asgjë, sepse pavarësisht dallimeve që mund të kemi mes nesh si shqiptarë, ne jemi të gjithë të qartë dhe të bashkuar në bindjen se çdo lloj regjimi, që i mban njerëzit e vet në errësirë dhe varfëri është një armik i mënyrës sonë të jetesës.

Dhe i juaji është më i keqi nga të gjithë: Një shtet terrorist sipas vetë përkufizimit juridik.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *