E diela u përgjak sërish. Viktima e radhës është Briken Sanaj, 39-vjeçari i cili u ekzekutua me breshëri kallashnikovi mesnatën e djeshme te “Kodra e Diellit” në kryeqytet.
39-vjeçari ishte fillimisht në Lezhë ku ka marrë pjesë në dasmën e kushëririt të tij. Kur ka mbaruar dasma, ata kanë sjellë nusen në Tiranë tek pallati ku jetonte prej më shumë se një viti. Kur ka zbritur nga makina është qëlluar për vdekje nga një distancë e afërt nga një makinë në lëvizje.
Në të gjitha dokumentet që ju gjetën me vete emri i viktimës është Briken Sanaj, megjithatë, ai njihet nga rojet private te Kodra e Diellit si Anton Gjini dhe kishte më shumë se një vit që ishte rezident te “Kodra e Diellit.”
Disa orë pas vrasjes, një automjet u gjet nga policia në Qafë Kashar. Sipas policisë, bëhet fjalë për automjetin që u përdor nga ekzekutorët e 39-vjeçarit.
Dyshohet se në makinën tip Benz kanë qenë dy autor. Ngjarja është referuar në Prokurori për veprën penale “vrasje me paramendim”. Sipas burimeve, kamerat e sekuestruara kanë filmuar pamje të rëndësishme ku po punohet për zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e identitetit të autorëve.
Dinamika e ngjarjes
Sanaj është qëlluar me breshëri plumbash sapo ka lënë bashkëshorten në garazh me makinë. Pasi ka dalë nga garazhi, autorët janë futur në rezidencën ‘Kodra e Diellit’ me makinë, kanë thyer traun dhe kanë qëlluar në drejtim të 39-vjeçarit. Autorët kanë qenë në këmbë, kanë kaluar në një kodër jashtë rrethimit, ku i priste një makinë.
Policia gjeti në vendngjarje gëzhojat e plumbave me të cilat u qëllua ndaj 39-vjeçarit. Brenda automjetit që po digjej u gjet edhe arma e zjarrit, një kallashnikov. Makina ishte me targa të vjedhura vetëm pak ditë më parë në Tiranë.
Në njoftimin e policisë thuhet: “Më datë 30.10.2022, te Kodra e Diellit, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri shtetasi B. S., rreth 39 vjeç, i cili ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë krehjen e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Janë shoqëruar disa persona në Polici. Në Qafë Kashar, në afërsi të një biznesi pllakash, është gjetur duke u djegur, një automjet.Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për fiksimin e çdo prove të vlefshme që mund të çojë në identifikimin e autorëve.”