Në dokumentarin e fundit, Top Channel shkruan se çfarë ndodhi në 28 maj 1996, dy ditë pas zgjedhjeve të manipuluara thellësisht. Me këtë rast TCH sjell edhe pamjet filmike të ditës:
26 maji i vitit 1996 është një nga ditët më të errëta të demokracisë në Shqipëri kur arroganca dhe dhuna shtetërore shkatërroi zgjedhjet dhe grabiti votën masivisht.
Ato zgjedhje nuk u njohën nga vëzhguesit e OSBE/ODHIR që faktuan pjesën më të madhe të manipulimeve. Misioni në atë kohë drejtohej nga britanikja Glover, e cila ka ardhur sërish në Shqipëri. Pas vjedhjeve opozita socialiste tërhoqi komisionerët nga qendrat e votimit dhe në fund dolën rezultate sureale, kur në kutinë e votimit kishte më shumë vota se votues dhe ato ishin të gjitha për Partinë Demokratike.
Ashtu si sot, opozita në atë kohë organizoi protestën e njohur të 28 majit. Socialistët kërkuan sheshin “Skënderbej”, por qeveria e Partisë Demokratike e zhvendosi protestën në fushën e Ali Demit, edhe aty nën rrethim policor, por nga të gjitha drejtimet socialistet u nisen të marshojnë drejt sheshit “Skënderbej”.
Policia me autoblinda, me qen, forcat speciale dhe punonjës të shërbimit informativ gjithsej 6 mijë forca krijuan barrikada për të penguar marshimin dhe në rrugën e Elbasanit ndodhi përleshja. Dhuna u bë e përgjakshme. Në ballë të protestës ishin 30 drejtuesit e opozitës, e cila kryetarin e kishte në burg dhe që drejtohej nga Servet Pëllumbi. Gaqo Apostoli, Neritan Ceka, Paskal Milo, Ndre Legisi, Namik Dokle, Pandeli Majko, Blendi Gonxhe dhe Kastriot Islami u dhunuan barbarisht nga policia dhe SHIK-u.
Pas kaq vitesh kanë mbetur ende imazhet që u regjistruan nga gazetarët e huaj që ndodheshin në Tirane. Këto janë pamjet se si tërhiqeshin zvarre protestuesit, disa prej të cilëve u rrahën pas shoqërimit në polici.
260 protestues të opozitës u rrahën në urën e rrugës së Elbasanit dhe në sheshin “Skënderbej” në sy të ndërkombëtarëve që e ndiqnin dhe e filmonin masakrën nga Hotel “Tirana”.
Shtypi ndërkombëtar raportoi ngjarjen me pamjet e dhunës nga e cila nuk shpëtuan as vetë gazetarët e huaj. Kjo është foto e një gazetari spanjoll, të cilin e goditen sepse po fotografonte protestën.
Veritas.com.al/