Mbërritja e presidentit amerikan Donald Trump në Seul shoqërohet me një demonstrim madhor force në oqeanin Paqësor.
Tre aeroplanmbajtëse amerikane, të shoqëruara me destrojerë e nëndetëse, përgatiten të zhvillojnë një betejë të simuluar në ujërat e rajonit, e nuk janë të pakta gjasat që kjo shfaqje fuqie të shihet nga Peniani si provokim i drejtpërdrejtë. Manovra ku marrin pjesë “USS Nimitz”, “USS Ronald Reagan” dhe “USS Theodore Roosevelt”, pason stërvitjen e përbashkët të flotave amerikane, australiane dhe koreano-jugore, qëllimi i të cilave është interceptimi i ngarkesave me materiale bërthamore me destinacion Korenë e Veriut.
Zyrtarë të qeverisë së atjeshme i thanë CNN-it se, Uashingtoni po i përshkallëzon veprimet që mund të nxisin një “tjetër luftë koreane”.
Ambiciet bërthamore të Phenianit do të mbizotërojnë agjendën e vizitës së Trump në Korenë e Jugut. Edhe pse do të qëndrojë atje vetëm 24 orë, kjo do të jetë me të gjithë gjasat ndalesa më simbolike e turneut aziatik të shefit të Shtëpisë së Bardhë, një rrugëtim i ideuar për forcimin e aleancës ushtarake dhe unitetit, që e ka mbrojtur këtë vend prej kaq kohësh, duke i dërguar Kim Jong- unit një mesazh të qartë nga përtej kufirit të tij. Mosmarrëveshjet, megjithatë, nuk mungojnë.
Trump e ka akuzuar më parë presidentin e Koresë së Jugut se po përpiqet ta marrë Veriun me të mirë dhe e ka bërë të qartë se kërkon rinegociimin e kushteve të marrëveshjes së tregtisë së lirë mes dy vendeve.
Veritas.com.al/