Presidenti Donald Trump tha se është “100 për qind” i gatshëm të dëshmojë nën betim për bisedat e tij me drejtorin e shkarkuar të FBI-së James Comey.
Ai i bëri komentet të premten pasdite në një konferencë shtypi me presidentin e Rumanisë në Shtëpinë e Bardhë- sipas VOA
Zoti Trump këmbënguli se ish-kreu i FBI-së gënjeu në disa pjesë të dëshmisë që dha të enjten në komisionin e Senatit për Zbulimin.
Presidenti tha se ai kurrë nuk i kishte kërkuar zotit Comey t’i shprehte besnikërinë dhe asnjëherë nuk i kishte thënë atij se shpresonte që ta mbyllte hetimin për ish-këshilltarin e sigurimit kombëtar Michael Flynn.
Presidenti Trump nuk e përjashtoi pohimin e tij të mëparshëm se mund të ekzistojnë regjistrime të bisedave të tij me zotin Comey.
“Ndoshta do t’jua them këtë në një të ardhme shumë të afërt”, u deklaroi ai gazetarëve.
Gjatë konferencës për shtyp, Presidenti Trump më në fund konfirmoi publikisht angazhimin e tij ndaj klauzolës së NATO-s për mbrojtjen e përbashkët.
Kur zoti Trump foli në takimin e aleancës në Belgjikë muajin e kaluar, ai nuk iu referua kësaj klauzole, të njohur si Neni 5.
Por të premten ai tha se ishte “i angazhuar ndaj nenit 5 të Aleancës.
I vetmi rast në të cilin anëtarët e NATO-s përdorën nenin 5 ishin ditët menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.
Replikat me ish-shefin e shkarkuar të FBI-së
Presidenti Donald Trump theu heshtjen në Tëitter, pas dëshmisë së djeshme të drejtorit të shkarkuar të FBI-së James Comey, duke deklaruar se ajo ishte “një hakmarrje e vërtetë”.
Trump, i cili nuk kishte postuar në Tëitter, që kur zoti Comey e akuzoi administratën për përhapjen e “gënjeshtrave”, u kundërpërgjigj me një koment herët në mëngjes, ku thoshte “Çudi, Comey paska nxjerrë sekrete”. Sot zoti Trump takohet në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Rumanisë, Klaus Iohannis dhe më pas të dy pritet të kenë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Në paraqitjen e tij të parë para Kongresit që pas shkarkimit të papritur muajin e kaluar, zoti Comey foli për mungesën e besimit të Presidentit ndaj tij, duke thënë hapur se Presidenti e kishte shkarkuar me synimin për të ndërhyrë në hetimin mbi lidhjet e zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me Rusinë.
Ndërsa Presidenti e karakterizoi dëshminë e zotit Comey si një hakmarrje për shkarkimin e tij, përshtypja e përgjithshme për përgjigjet e tij ndaj pyetjeve të senatorëve nuk ishte se ishin të pavërteta.
Senatorja Susan Collins, një Republikane e moderuar, tha se Kongresi duhet të njihet me regjistrimet e bisedave me ish drejtorin e FBI-së që mund të ketë Presidenti. Ajo tha se zoti Comey është “një njeri i nderuar” dhe në një intervistë ajo u shpreh se ai “Ishte i besueshëm, i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë” në dëshminë e tij.
Veritas.com.al/