Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, e ka përshkruar qartë situatën në të cilin Kosova dhe Shqipëria gjenden, sa i përket rezolutës shqiptare kundër raportit të Dick Marty-t, i cili është bërë shkak për gjykimin e pajustifikuar të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë: Bashkëpunim inekzistent.
Qartësisht, Gërvalla ka thënë se nuk ka asnjë bashkërendim pune sa i përket rezolutës së miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë.
Madje, pavarësisht rolit si kryediplomate e Kosovës, ajo ka thënë më tej se nuk i komenton vendimet që shteti shqiptar merr.
Por një gjë, çuditërisht, Gërvalla e komenton: Kryeministrin Edi Rama, forca politike e të cilit, ka qenë iniciatore e rezolutës dhe ai vetë, tepër i zëshëm në Kombet e Bashkuara për mbrojtjen e Kosovës dhe ish-krerëve të UÇK-së, lufta e të cilëve i solli lirinë popullit shqiptar në trojet kosovare, bashkë me punën e aleatëve.
“Kryeministri shqiptar, ndonjëherë pa arsye, e mbron Serbinë”, ka thënë Gërvalla, duke nënvizuar se pavarësisht se në disa nisma si “Open Balkan” ka mosmarrëveshje mes dy vendeve, sërish bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë, është në nivelet më të larta ndonjëherë.
Edhe me këtë pohim të fundit, ajo sërish më shumë i mëshoi pretendimit të një “miqësie Rama-Vuçiç), se sa vetë fryteve që marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë kanë pasur me ardhjen në pushtet të qeverisë së Albin Kurtit.
Deklarata të ngjashme, dy ditë më parë, po për Zërin e Amerikës, i bëri edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ishte shqetësuar për deklaratat e kryeministrit Rama në OKB, pavarësisht se këto të fundit ishin tërësisht në mbrojtje të Kosovës dhe kundër Rusisë e Serbisë.
Koment mbi to, nuk ka ardhur ndërkohë nga kryeministri kosovar, Albin Kurti, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Japoni.