Zyra e presidentit Emmanuel Macron njoftoi se kryeministri i ri Sebastien Lecornu dha dorëheqjen në mëngjesin e së hënës, më 6 tetor, vetëm disa orë pasi kishte formuar qeverinë e tij të re.

Dorëheqja e Lecornu-së, e cila e bën atë kryeministrin me mandatin më të shkurtër në historinë e fundit të Francës, e fut sërish vendin në pasiguri politike.

Të dielën në mbrëmje, pothuajse katër javë pas emërimit të tij nga Macron, Lecornu prezantoi kabinetin e tij, i cili ishte pothuajse identik me atë të paraardhësit të tij të rrëzuar, François Bayrou.

Por problemet u shfaqën menjëherë, me anëtarë të disa partive brenda koalicionit qeverisës që shprehën dyshime dhe kritika për mungesën e ndryshimeve.

Jordan Bardella, presidenti i partisë së ekstremit të djathtë Rassemblement National (RN), bëri thirrje të menjëhershme për zgjedhje të parakohshme. “Nuk mund të ketë rikthim të stabilitetit pa një rikthim në votime dhe pa shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare,” theksoi ai.

Mathilde Panot, një figurë e njohur e partisë së majtë radikale La France Insoumise, kërkoi dorëheqjen e Macron-it në një postim në X pas dorëheqjes së Lecornu-së. “Ka filluar numërimi mbrapsht. Macron duhet të largohet”, shkroi ajo.

Kryeministri i shtatë i Macron-it

Në fillim të shtatorit, Macron emëroi 39-vjeçarin Lecornu si kryeministrin e tij të shtatë gjatë mandatit, në një përpjekje për të zbutur krizën e thelluar politike.

Politika franceze është përfshirë nga trazirat, që kur Macron rrezikoi me thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme verën e kaluar, në përpjekje për të forcuar autoritetin e tij. Por lëvizja rezultoi e gabuar, duke prodhuar një parlament të përçarë midis tre blloqeve rivale.

Dy paraardhësit e Lecornu-së, François Bayrou dhe Michel Barnier, u rrëzuan për shkak të përplasjes mbi buxhetin shtrëngues të Francës në një parlament thellësisht të ndarë. Macron zgjodhi njërin nga aleatët e tij më të ngushtë, në vend që të përpiqej të zgjeronte mbështetjen e qeverisë në spektrin politik.

Gjatë muajit të kaluar, Lecornu zhvilloi një sërë konsultimesh me aleatë centristë dhe udhëheqës opozitarë, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta, me synimin për të arritur një pakt mos-agresioni në parlament dhe për të miratuar buxhetin.

Asnjë parti nuk ka mjaftueshëm vende për të qeverisur e vetme. Shumica e partive të majta kishin njoftuar se do të mbështesnin një votë mosbesimi, ndërsa e djathta ekstreme e Marine Le Pen kërcënoi se do ta mbështeste gjithashtu nismën.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *