Koincidencë apo ironi e fatit, dosja ndaj Lulzim Bashës në Gjykatën e Apelit i është caktuar Fatmira Hajdarit. Gazetarja Klodiana Lala tha për ‘BalkanËeb’ se shorti ka përzgjedhur sot znj. Hajdari si kryesuese e trupit gjykues, ndërsa anëtarë do të jenë, Alaudin Malaj dhe Shpresa Becaj, të dy gjykatës afër PD dhe të graduar gjatë pushtetit të PD.
Kujtojmë se Fatmira Hajdari, është bashkëshortja e ish-deputetit të ndjerë të PD, Azem Hajdari, si edhe nëna e Rudina Hajdarit, deputetja e cila zgjodhi të dalë kundër urdhrit të kryedemokratit për djegien e mandatave dhe pranoi të kryesojë opozitën e re në parlament. Ende nuk ka një datë, se kur do të nisë procesi në Gjykatën e Apelit ndaj kreut të PD, Lulzim Basha, por gjasat janë, që në të tilla kushte znj. Hajdari të japë dorëheqjen nga kjo çështje.
Prokuroria e Tiranës ka apeluar vendimin e gjyqtarit Lazër Sallaku që i dha pafajësi Bashës dhe ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristani si dhe shefit të financës së këtij subjekti Ilir Dervishi.
Gjykata e Tiranës rrëzoi akuzat ndaj Bashës, Ristanit dhe Dervishit për falsifikim formularësh në çështjen e lobimit pasi nuk ekzistojnë prova. Në 41 faqe vendim të gjykatës së Tiranës thuhej se nuk ekziston fakti penal. Sipas hetimit gjyqësor ka rezultuar se PD s’ka pasur kontratë lobimi me kompaninë “Biniada Trade”.
VERITAS.COM.AL