Propozimi i Ramës për draft-statutin e Asociacionit për komunat e veriut të Kosovës, nuk është mirëpritur as nga presidenti serb. Aleksandër Vuçiç. Gjatë një interviste të dhënë për televizionin serb ‘TV Happy’, Vuçiç tha se Rama nuk ka asnjë të drejtë të bëjë një propozim të tillë.

Ai shtoi se pavarësisht respektit që ka për Ramën, ky i fundit nuk është i autorizuar të hartojë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Me sa di unë, Edi Rama nuk është anëtar i Ekipit Drejtues Serb. As kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili duket se dëshiron të bëhet pjesë e atij ekipi, pasi edhe ai ka diçka të shkruar, por nuk ka të drejtë ta ketë të shkruar”, tha Vuçiç.

Në fjalimin e tij me rastin e 32 vjetorit të Partisë Socialiste Rama shprehu hapur keqardhjen për faktin se si Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti kishin refuzuar draftin e tij për asociacionin pa e lexuar përmbajtjen.  Rama u çoi mesazh madje se nëse ata donin të luanin lojën e luftrave, shtetet e tjera të rajonit nuk ishin të interesesuar për këtë.

“Më vjen mirë që përpjekja për të dhënë një kontribut konkret për dialogun është pritur mirë nga aleatët. Ndërsa atyre që e kanë kundërshtuar, pa e ditur përmbajtjen si në Prishtinë dhe Beograd duke thënë se nuk duan të dëgjojnë për një propozim nga Shqipëria, u them dy gjëra. Së pari, ata që flasin kështu jetojnë akoma me komunizmin në kokë kur politika merrej me kush e tha dhe jo me cfarë tha.

E dyta ky rajon është edhe i yni, edhe i disa të tjerëve. Nëse atyre u vjen më për mbarë të luajnë akoma luftash ndërkohë që as njëra palë dhe as tjetra nuk i hapin dot njëra tjetrës jo luftë por asnjë të shtënë që kapërcen kufijtë sepse aty është Amerikë dhe NATO. Aleatëve po u soset durimi. Unë u them se nuk jemi fare të interesuar për lojë luftash por jemi kundër asaj lufte”- tha Rama dje në fjalimin e tij mbajtur në Pallatin e Kongreseve më 12 qershor 2023.

Të njëjtin qëndrim refuzues për draftin e porpozuar nga Rama e ka mbajtur edhe Prishtina zyrtare, duke e cilësuar si të panevojshëm pasi nuk është konsultuar më parë me krerët e shtetit të Kosovës.  Nga ana tjetër, Bashkimi Europian, propozimin e Ramës që ka mbërritur në tryezat e presidentit francez Macron dhe kancelarit gjerman Sholz, e ka vlerësuar si tepër cilësor dhe të shkruar me seriozitet.